Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Holy Land

108 vargje · 37 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara;

  2. dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi.

  3. Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit.

  4. U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).

  5. Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq.

  6. Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.

  7. Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit,

  8. dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.

  9. Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij.

  10. Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut.

  11. Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit".

  12. Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: "Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri".

  13. Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: "Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne".

  14. Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë.

  15. Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t'u dukeshim atyre".

  16. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

  17. "Urdhëro bijtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin e Kanaanit, ky është vendi që ju takon si trashëgimi, vendi i Kanaanit me këta kufij të veçantë:

  18. Kufiri juaj jugor do të fillojë në shkretëtirën e Tsinit, gjatë kufirit të Edomit; kështu kufiri juaj do të shtrihet nga skaji i Detit të Kripur në drejtim të lindjes;

  19. kufiri juaj do të shkojë pastaj nga e përpjeta e Akrabimit, do të kalojë nëpër Tsin dhe do të shtrihet në jug të Kadesh-Barneas; do të vazhdojë pastaj në drejtim të Hatsar-Adarit dhe do të kalojë nëpër Atsmoni.

  20. Nga Atsmoni kufiri do të kthejë deri në përroin e Egjiptit dhe do të përfundojë në det.

  21. Kufiri juaj në perëndim do të jetë Deti i Madh; ky do të jetë kufiri juaj perëndimor.

  22. Ky do të jetë kufiri juaj verior: duke u nisur nga Deti i Madh do të caktoni kufirin tuaj deri në malin Hor;

  23. nga mali Hor do të caktoni kufirin tuaj deri në hyrje të Hamathit, dhe skaji i kufirit do të jetë në Tsedad;

  24. kufiri do të vazhdojë pastaj deri në Zifron dhe do të mbarojë në Hatsar-Enan; ky do të jetë kufiri juaj verior.

  25. Do ta vijëzoni kufirin tuaj lindor nga Hatsar-Enani deri në Shefam;