Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Kings

580 vargje · 175 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.

  2. Ai ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

  3. Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërrojë shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me Davidin dhe sepse i kishte premtuar t'i jepte atij dhe bijve të tij një llambë përgjithmonë.

  4. Gjatë ditëve të mbretërisë së tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi një mbret.

  5. Atëherë Jehorami u nis me komandantët e tij dhe me të gjitha qerret e tij; u ngrit, pra, natën dhe i mundi Edomitët, që e kishin rrethuar atë dhe komandantët e qerreve të tij.

  6. Kështu Edomi nuk iu nënshtrua pushtetit të Judës deri ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye kundër pushtetit të tij, sepse Jehorami kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij.

  7. Edhe Jehorami ndërtoi vende të larta në malet e Judës, i shtyu banorët e Jeruzalemit në rrugën e kurvërimit dhe largoi Judën.

  8. Atëherë i erdhi një shkrim nga profeti Elia, në të cilën thuhej: "Kështu i thotë Zoti, Perëndia i Davditi, atit tënd: "Meqë nuk ke ndjekur rrugët e Jozafatit, atit tënd, dhe rrugët e Asas, mbretit të Judës,

  9. por ke ndjekur rrugët e mbretërve të Izraelit dhe ke shtyrë në rrugën e kurvërimit Judën dhe banorët e Jeruzalemit, ashtu si ka vepruar shtëpia e Ashabit, dhe ke vrarë vëllezërit e tu, vetë familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti,

  10. ja, Zoti do të godasë me një fatkeqësi të madhe popullin tënd, fëmijët e tu, bashkëshortet e tua dhe gjithçka që ti zotëron;

  11. ti vetë do të goditesh nga sëmundje shumë të rënda, nga një sëmundje e zorrëve që do të të nxjerrë çdo ditë pak e nga pak zorrët"".

  12. Përveç kësaj Zoti zgjoi kundër Jehoramit frymën e Filistejve dhe të Arabëve, që banojnë pranë Etiopasve;

  13. dhe këta dolën kundër Judës, e pushtuan dhe morën me vete tërë pasuritë që gjetën në pallatin mbretëror, duke përfshirë bijtë dhe gratë e tij; kështu nuk i mbeti asnjë bir përveç Jehoahazit, më i vogli prej bijve të tij.

  14. Mbas tërë kësaj Zoti e goditi në zorrët me një sëmundje të pashërueshme.

  15. Kështu, me kalimin e kohës, në fund të vitit të dytë, nga shkaku i sëmundjes, zorrët i dolën jashtë dhe vdiq duke hequr mundime të tmerrshme. Populli i tij nuk dogji parfume për nder të tij, ashtu si kishte bërë për etërit e tij.

  16. Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem. Iku pa lënë keqardhje; e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve.

  17. Banorët e Jezrualemit shpallën mbret birin e tij më të vogël Ashaziahun, në vend të tij, sepse tërë bijtë më të mëdhenj ishin vrarë nga banda që kishte hyrë në kamp bashkë me Arabët. Kështu mbretëroi Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës.

  18. Ashaziahu ishte dyzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah; ishte bij e Omrit.

  19. Edhe ai ndoqi rrugët e ndjekura nga shtëpia e Ashabit, sepse e ëma e këshillonte të vepronte në mënyrë të paudhë.

  20. Prandaj ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si vepronin ata të shtëpisë së Ashabit, sepse mbas vdekjes së atit të tij këta qenë, për shkatërrimin e tij, këshilltarët e tij.

  21. Duke ndjekur këshillën e tyre, ai shkoi me Jehoramin, birin e Ashabit, mbretit të Izraelit të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; dhe Sirët e plagosën Jehoramin.

  22. Kështu ai u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë në Ramah, duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës, zbriti për të parë Jehoramin, birin e Ashabit, në Jezreel, sepse ky ishte i sëmurë.

  23. Vizita që i bëri Ashaziahu Jehoramit ishte vendosur nga Perëndia për shkatërrimin e tij. Kur arriti në të vërtetë, ai doli me Jehoramin kundër Jehut, birit të Nimshit, që Zoti kishte vajosur për të shfarosur shtëpinë e Ashabit.

  24. Ndodhi që, ndërsa Jehu vendoste drejtësi në shtëpinë e Ashabit, u takua me krerët e Judës dhe me bijtë e vëllezërve të Ashaziahut që ishin në shërbim të Ashaziahut dhe i vrau.

  25. Urdhëroi gjithashtu ta kërkojnë Ashaziahun dhe e kapën (ai ishte fshehur në Samari); e çuan pastaj tek Jehu që e vrau. Pastaj e varrosën, sepse thonin: "Éshtë bir i Jozafatit, që e kërkonte Zotin me gjithë zemër". Kështu në shtëpinë e Ashaziahut nuk mbeti më njeri në gjendje të mbretërojë.