Zanafilla 41:1-32
1
Por ndodhi që mbas dy vitesh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë një lumi,
2
dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunkthe.
3
Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit.
4
Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua.
5
Më pas e zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm.
6
Pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre.
7
Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë. Atëherë Faraoni u zgjua dhe, ja, ishte një ëndërr.
8
Në mëngjes shpirti i tij qe i trazuar, dhe dërgoi e thirri tërë magjistarët dhe të diturit e Egjiptit; pastaj Faraoni u tregoi ëndrrat e tij, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje t'ia interpretonte Faraonit.
9
Atëherë kryekupëmbajtësi i foli Faraonit duke i thënë: "Sot kujtoj gabimet e mia.
10
Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij dhe më kishte futur në burg në shtëpinë e kreut të rojeve, mua dhe kryebukëpjekësin.
11
Po atë natë, unë dhe ai pamë një ëndërr; secili pa një ëndërr që kishte kuptimin e tij.
12
Me ne ishte edhe një hebre i ri, shërbëtor i kreut të rojeve; atij i treguam ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi, duke i dhënë secilit interpretimin e ëndrrës së tij.
13
Dhe gjërat u zhvilluan pikërisht simbas interpretimit që na kishte dhënë ai. Faraoni më rivendosi në detyrën time dhe e vari tjetrin".
14
Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorrën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni.
15
Dhe Faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh".
16
Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: "Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit".
17
Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit,
18
kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe.
19
Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe thatime; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit.
20
Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme;
21
por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova.
22
Pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur;
23
dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve.
24
Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjëndje të më jepte një shpjegim".
25
Atëherë Jozefi i tha Faraonit: "Éndërrat e Faraonit janë një ëndërr e njëjtë. Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë.
26
Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr.
27
Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke.
28
Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë.
29
Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit;
30
por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin.
31
Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë.
32
Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia, dhe Perëndia do të bëjë që të ndodhë shpejt.
Settings