Skip to content

Vargje biblike për Self-Control: Of David

35 vargje · 3 aspekte

Vargje për Of David

  1. Kur Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve, i njoftuan sa vijon: "Ja, Davidi është në shkretëtirën e En-Gedit".

  2. Atëherë Sauli mori tre mijë njerëz të zgjedhur nga tërë Izraeli dhe shkoi të kërkojë Davidin dhe njerëzit e tij përballë shkëmbinjve të dhive të egra.

  3. Me të arritur në vathët e deleve gjatë rrugës, ku ndodhej një shpellë, Sauli hyri brenda saj për të bërë një nevojë natyrale. (Davidi dhe njerëzit e tij ishin në fund të shpellës).

  4. Njerëzit e Davidit i thanë: "Kjo është dita gjatë së cilës Zoti të thotë: "Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç'të duash"". Atëherë Davidi u ngrit dhe pa u diktuar preu një cep të mantelit të Saulit.

  5. Por pas kësaj Davidit i rrahu zemra, sepse i kishte prerë cepin e mantelit Saulit.

  6. Kështu u tha njerëzve të tij: "Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit".

  7. Me këto fjalë Davidi i ndali njerëzit e tij dhe nuk i la të hidhen kundër Saulit. Pastaj Sauli u ngrit, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën e tij.

  8. Pas kësaj edhe Davidi u ngrit, doli nga shpella dhe i thirri Saulit, duke thënë: "O mbret, o imzot!". Atëherë Sauli u kthye, dhe Davidi uli fytyrën për tokë dhe u përul.

  9. Davidi i tha Saulit: "Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: "Davidi kërkon të të bëj keq?".

  10. Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: "Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit".

  11. Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën!

  12. Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje.

  13. Ashtu si thotë proverbi i lashtë: "Ligësia vjen nga të liqtë". Por unë nuk do ta shtrij dorën time kundër teje.

  14. Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Cilin je duke persekutuar? Një qen të ngordhur, një plesht?

  15. Zoti le të jetë gjykatës dhe le të sigurojë drejtësi midis meje dhe teje; të ketë mundësinë të shohë dhe të mbrojë çështjen time, të më japë hak, duke më liruar nga duart e tua".

  16. Zifejtë erdhën te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "Mos është fshehur Davidi në kodrën e Hakilahut në kufi me shkretëtirën?".

  17. Atëherë Sauli u ngrit dhe zbriti në drejtim të shkretëtirës së Zifit, duke pasur me vete tre mijë njerëz të zgjedhur të Izraelit, për të kërkuar Davidin në shkretëtirën e Zifit.

  18. Sauli e ngriti kampin e tij në kodrën e Hakilahut, që ndodhet në kufi me shkretëtirën pranë rrugës, ndërsa Davidi gjendej në shkretëtirë. Kur e kuptoi që Sauli vinte për ta kërkuar në shkretëtirë,

  19. Davidi dërgoi disa spiunë dhe mësoi që Sauli kishte arritur me të vërtetë.

  20. Atëherë Davidi u ngrit dhe shkoi në vendin ku Sauli kishte ngritur kampin. Davidi vrojtoi vendin ku ishin shtrirë Sauli dhe Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së tij. Sauli ishte shtrirë në kampin e qerreve dhe njerëzit e tij ishin rreth tij.

  21. Davidi iu drejtua pastaj Hiteut Alimelek dhe Abishait, birit të Tserujahut dhe vëlla i Joabit; dhe u tha atyre: "Kush do të vijë me mua te Sauli në kamp?". Abidshai u përgjegj: "Do të vij unë bashkë me ty".

  22. Kështu Davidi dhe Abishai arritën natën te këta njerëz; dhe ja që Sauli rrinte shtrirë i përgjumur në kampin e qerreve, me shtizën e tij të ngulur në tokë, nga ana e kokës, kurse Abneri dhe njerëzit e tij po flinin rreth tij.

  23. Atëherë Abishai i tha Davidit: "Sot Perëndia të ka dhënë në dorë armikun tënd; prandaj, të lutem, më lejo ta godas me shtizë dhe ta mbërthej në tokë me një të rënë të vetme; nuk do të ketë nevojë për një goditje të dytë".

  24. Por Davidi i tha Abishait: "Mos e vrit; kush me të vërtetë mund të ngrejë dorën kundër të vajosurit të Zotit pa u bërë fajtor?".

  25. Pastaj Davidi shtoi: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; o sepse do t'i vijë dita dhe ka për të vdekur, o sepse do të shkojë të luftojë dhe do të vritet.