Skip to content

Vargje biblike për Paul

619 vargje · 103 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.

  2. Pas shumë ditësh, Judenjtë u konsultuan bashkë që ta vrasin.

  3. Por komploti i tyre u mor vesh nga Sauli. Dhe ditë e natë ata i ruanin portat e qytetit që të mund ta vrisnin;

  4. atëherë dishepujt e morën natën dhe e zbritën poshtë nga muri, në një shportë.

  5. Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.

  6. Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit.

  7. Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus.

  8. Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin.

  9. Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.

  10. Pastaj Barnaba u nis për në Tars për të kërkuar Saulin dhe, si e gjeti, e çoi në Antioki.

  11. Dhe plot një vit ata u bashkuan me atë kishë dhe mësuan një numër të madh njerëzish; dhe, për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën të Krishterë.

  12. Në ato ditë disa profetë zbritën nga Jeruzalemi në Antioki.

  13. Dhe një nga ata, me emër Agab, u ngrit dhe nëpërmjet Frymës parathoshte se do të ndodhte në mbarë botën një zi e madhe buke; dhe kjo ndodhi më vonë në kohën nën Klaud Cezarit.

  14. Atëherë dishepujt, secili sipas mundësive të tij, vendosën t'u çojnë një ndihmë vëllezërve që banonin në Jude.

  15. Dhe këtë ata e bënë, duke ua dërguar pleqve me anë të Barnabës dhe të Saulit.

  16. Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark.

  17. Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: ''M'i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur''.

  18. Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.

  19. Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro.

  20. Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e Judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës.

  21. Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus,

  22. i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë,

  23. por Elimas, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi.

  24. Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha:

  25. ''O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëvë të drejta të Zotit?