Skip to content

Vargje biblike për Passover

161 vargje · 14 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan ashtu; ata bënë ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe Aaronin.

  2. Prandaj ndodhi që në mesnatë Zoti goditi tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i Faraonit që rrinte mbi fronin e tij, deri te i parëlinduri i të burgosurit që ishte në burg, si dhe çdo pjellë e parë e bagëtive.

  3. Kështu Faraoni u ngrit natën, ai me gjithë shërbëtorët e tij dhe gjithë Egjiptasit; dhe u dëgjua një klithmë e madhe në Egjipt, sepse nuk kishte shtëpi ku të mos kishte një të vdekur.

  4. Atëherë ai thirri Moisiun dhe Aaronin natën dhe u tha: "Çohuni dhe largohuni nga mesi i popullit tim, ju dhe bijtë e Izraelit; dhe shkoni t'i shërbeni Zotit, siç e keni thënë.

  5. Merrni me vete kopetë e bagëtive të imta dhe të trasha, siç keni thënë, dhe shkoni; dhe më bekoni edhe mua!".

  6. Dhe Egjiptasit e nxisnin popullin për të shpejtuar nisjen nga vendi, sepse thonin: "Do të vdesim të gjithë".

  7. Populli mori me vete brumin e bukës para se ai të vinte; i mbështolli magjet e tij me rroba trupi dhe i vuri mbi kurriz.

  8. Dhe bijtë e Izraelit bënë ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe u kërkuan Egjiptasve sende argjendi, sende ari dhe rroba;

  9. dhe Zoti bëri që Egjiptasit ta shikonin me sy të mirë popullin dhe t'i jepnin atë që kërkonte. Kështu i zhveshën Egjiptasit.

  10. Bijtë e Izraelit u nisën nga Ramsesi për në Sukoth, ishin rreth gjashtëqind mijë njerëz më këmbë, pa llogaritur fëmijët.

  11. Dhe me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish, bashkë me kopetë e tyre të bagëtive të imta dhe të trasha, një numër i madh kafshësh.

  12. Dhe ata e poqën brumin që kishin sjellë nga Egjipti, duke bërë kuleçë të ndormë; në fakt brumi nuk kishte maja, sepse ata u dëbuan nga Egjipti dhe nuk mundën të mënojnë, as të përgatisin rezerva për udhëtimin.

  13. Koha që bijtë e Izraelit kaluan në Egjipt qe katërqind e tridhjetë vjet.

  14. Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit.

  15. Kjo është një natë për t'u kremtuar për nder të Zotit, sepse ai i nxori nga vendi i Egjiptit; kjo natë do të jetë një kremtim solemn ndaj Zotit, për të gjithë bijtë e Izraelit brez pas brezi.

  16. Pastaj Zoti i tha Moisiut dhe Aaronit: "Ky është rregulli i Pashkëve: asnjë i huaj nuk do të hajë;

  17. por çdo skllav, i blerë me para, mbasi të jetë rrethprerë, mund të hajë.

  18. Të ardhurit dhe mercenarët nuk do të hanë.

  19. Qengji do të hahet vetëm në një shtëpi; asnjë pjesë të mishit të tij nuk do ta nxirrni jashtë shtëpisë dhe nuk do të thyeni asnjë kockë të tij.

  20. Tërë asambleja e Izraelit do ta kremtojë atë.

  21. Dhe kur një i huaj do të banojë me ty do të dojë të kremtojë Pashkët për nder të Zotit, tërë meshkujt e familjes së tij duhet të rrethpriten më parë dhe pastaj ai le të afrohet për të kremtuar këtë ditë, ai do të konsiderohet si i lindur në vend; por asnjë i parrethprerë s'ka për të ngrënë.

  22. Do të ketë një ligj të vetëm për atë që ka lindur në vend dhe për të huajin që banon me ju".

  23. Do të kremtosh festën e të ndormëve. Shtatë ditë do të hash bukë pa maja, siç të kam urdhëruar, në kohën e caktuar në muajin e Abibit, sepse në atë muaj ti dole nga Egjipti; dhe askush nuk do të paraqitet para meje duarbosh.

  24. Do të kremtosh edhe festën e korrjes, të prodhimit të hershëm të punës sate, të asaj që ke mbjellë në ara; si dhe festën e të vjelave, në fund të vitit, kur do të mbledhësh nga arat frytet e punës sate.

  25. Tri herë në vit tërë meshkujt do të paraqiten para Perëndisë, Zotit.