God
Vargje që përmendin God
Pastaj mbreti Ezekia dhe paria urdhëruan Levitët të lëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe të shikuesit Asaf; ata e lëvduan me gëzim, pastaj u përkulën dhe e adhuruan.
Atëherë Ezekia mori fjalën dhe tha: "Tani që i jeni shenjtëruar Zotit, afrohuni dhe sillni flijime dhe oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit". Kështu asambleja solli flijime dhe oferta falenderimi; dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën olokauste.
Numri i olokausteve që solli asambleja ishte shtatëdhjetë dema, njëqind desh dhe dyqind qengja; të tëra këto ishin olokauste për Zotin.
Pati një numër të madh olokaustesh së bashku me dhjamin e fljimeve të falënderimit dhe me blatimet e olokausteve. Kështu u rivendos shërbimi i shtëpisë të Zotit.
Ezekia dhe tërë populli u gëzua që Perëndia e kishte përgatitur popullin; në të vërtetë kjo gjë u bë shpejt.
Pastaj Ezekia i dërgoi lajmëtarë tërë Izraelit dhe Judës dhe i shkroi gjithashtu letra Efraimit dhe Manasit që të vinin në shtëpinë e Zotit në Jeruzalem për të festuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit.
Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar.
Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë.
Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni.
Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju.
Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai".
Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit.
Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.
Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e Levitëve.
Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, Levitët kishin për detyrë t'i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t'ia shenjtëruar Zotit.
Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo
që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja".
Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin.
Kështu bijtë e Izraelit, që ishin në Jeruzalem, kremtuan festën e të Ndormëve shtatë ditë me radhë në një atmosferë gëzimi të madh, kurse Levitët dhe priftërinjtë lëvdonin çdo ditë Zotin, duke i kënduar me vegla tingëllonjëse Zotit.
Ezekia i foli zemrës të të gjithë Levitëve që tregonin njohje të mirë të gjërave të Zotit. Kështu ata hëngrën për shtatë ditët e caktuara të festës, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke lëvduar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.
Pastaj priftërinjtë Levitë u ngritën dhe bekuan popullin; zëri i tyre u dëgjua dhe lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.
Ezekia rindërtoi klasat e priftërinjve dhe të Levitëve në bazë të klasave të tyre, secila sipas shërbimit të tij, priftërinjtë dhe Levitët për olokaustet dhe flijimet e falenderimit për të shërbyer, për të falenderuar dhe për të lëvduar në portat e kampeve të Zotit.
Mbreti caktoi edhe pjesën e pasurive të tij, që do t'i caktoheshin për olokauste; olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, olokaustet e të shtunave, të ditëve të hënës së re dhe të festave solemne, ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit.
Gjithashtu urdhëroi popullin, ata që banonin në Jeruzalem, t'u jepnin priftërinjve dhe Levitëve pjesën që u takonte, me qëllim që të tregoheshin të vendosur në ligjin e Zotit.
Bijtë e Izraelit dhe të Judës që banonin në qytetet e Judës çuan edhe ata të dhjetën e lopëve dhe të deleve, po kështu edhe të dhjetën e gjërave të shenjta të shenjtëruara Zotit, Perëndisë të tyre, dhe krijuan me to shumë grumbuj.