Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Psalms

896 vargje · 16 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.

  2. Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.

  3. Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.

  4. Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".

  5. Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.

  6. Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.

  7. Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.

  8. Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.

  9. Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.

  10. I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)

  11. Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.

  12. Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.

  13. Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.

  14. Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.

  15. Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia.

  16. Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.

  17. Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.

  18. Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim.

  19. O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh?

  20. Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon.

  21. Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym.

  22. Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin.

  23. Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve,

  24. goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.

  25. O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.