Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Psalms: Psalms of Affliction

315 vargje · 16 aspekte

Vargje për Psalms of Affliction

  1. O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.

  2. Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)

  3. Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.

  4. Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m'u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)

  5. Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.

  6. Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.

  7. Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.

  8. Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)

  9. Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

  10. Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

  11. Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t'i thërras atij.

  12. Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

  13. Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

  14. Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

  15. Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

  16. Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.

  17. Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.

  18. Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.

  19. O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,

  20. sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.

  21. Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.

  22. Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.

  23. Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.

  24. O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,

  25. sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.