Kalo te përmbajtja

God

11,427 vargje · 2 anëtarë të familjes

Vargje që përmendin God

Filtro sipas librit
  1. dhe u tha gjyqtarëve: "Kini kujdes për atë që bëni, sepse nuk gjykoni për njeriun por për Zotin, që do të jetë me ju kur do të administroni drejtësinë.

  2. Prandaj tani frika e Zotit qoftë mbi ju. Tregoni kujdes për atë që bëni, sepse tek Zoti, Perëndia ynë, nuk ka asnjë padrejtësi, as anësi, as pranim dhuratash.

  3. Edhe në Jeruzalem Jozafati vendosi disa Levitë priftërinj dhe të parë të shtëpive atërore të Izraelit për gjykimin e Zotit dhe për grindjet e ndryshme; këta banonin në Jeruzalem.

  4. I urdhëroi ata duke thënë: "Ju do të veproni duke pasur frikë nga Zoti, me besnikëri dhe me zemër të pastër.

  5. Në çdo grindje që do t'ju parashtrohet para jush nga ana e vëllezërve tuaj që banojnë në qytetet e tyre, qoftë për gjak të derdhur ose për shkelje të ligjit apo të një urdhërimi, kundër statuteve ose dekreteve, lajmërojini që të mos bëhen fajtorë përpara Zotit, dhe zemërimi të mos bjerë mbi ju dhe mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu dhe nuk do të bëheni fajtorë.

  6. Dhe ja, prifti më i lartë Amariah do të caktohet mbi ju për çdo çështje që i përket Zotit, ndërsa Zebadiahu, bir i Ismaelit, i pari i shtëpisë së Judës, do të jetë për çdo çështje që ka të bëjë me mbretin; edhe Levitët do të jenë në dispozicionin tuaj si gjyqtarë. Tregohuni të fortë dhe i hyni punës, dhe Zoti do të jetë me njeriun e drejtë".

  7. Atëherë Jozafati u trëmb dhe filloi të kërkojë Zotin, dhe shpalli një agjërim në gjithë Judën.

  8. Kështu ata të Judës u mblodhën për të kërkuar ndihmën e Zotit, dhe nga të gjitha qytetet e Judës vinin për të kërkuar Zotin.

  9. Pastaj Jozafati u ngrit më këmbë në mes të asamblesë së Judës dhe të Jeruzalemit në shtëpinë e Zotit përpara oborrit të ri

  10. dhe tha: "O Zot, Perëndia i etërve tanë, a nuk je ti Perëndia që është në qiell? Po, ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve, në duart e tua janë forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri që mund të të rezistojë.

  11. A nuk ke qenë ti, Perëndia ynë, që ke dëbuar banorët e këtij vendi përpara popullit tënd të Izraelit dhe ia ke dhënë për gjithnjë pasardhësve të mikut tënd Abraham?

  12. Ata kanë banuar aty dhe kanë ndërtuar një shenjtërore për emrin tënd, duke thënë:

  13. "Në rast se na godet një fatkeqësi, shpata, gjykimi apo murtaja ose zia e bukës, ne do të paraqitemi përpara këtij tempulli dhe përpara teje (sepse emri yt është në këtë tempull), do të të klithim ty nga fatkeqësia jonë, ti do të na dëgjosh dhe do të na vish në ndihmë".

  14. Dhe ja, tani bijtë e Amonit, të Moabit dhe ata të malit Seir, në territorin e të cilëve nuk e lejove Izraelin të hynte kur ata po dilnin nga Egjipti (prandaj ata qëndruan larg tyre dhe nuk i shkatërruan),

  15. dhe ja, tani ata na shpërblejnë, duke ardhur të na dëbojnë nga trashëgimia jote që na ke dhënë në zotërim.

  16. O Perëndia ynë, a nuk do t'i dënosh ata? Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti".

  17. Tani tërë burrat e Judës, me fëmijët, bashkëshortet dhe bijtë e tyre, rrinin më këmbë përpara Zotit.

  18. Atëherë në mes të asamblesë Fryma e Zotit përfshiu Jahazielin, birin e Zakarias, bir i Benajahut, bir i Jejelit, bir i Mataniahut, një Levit nga bijtë e Asafit.

  19. Dhe ky tha: "Dëgjoni, ju të gjithë nga Juda, ju banorë të Jeruzalemit dhe ti, o mbret Jozafat! Kështu ju thotë Zoti: "Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë.

  20. Nuk do të jeni ju që do të luftoni në këtë betejë; zini pozicion, qëndroni pa lëvizur dhe do të shihni lirimin e Zotit, që është me ju. O Judë, o Jeruzalem, mos kini frikë dhe mos u tronditni; nesër do të dilni kundër tyre, sepse Zoti është me ju"".

  21. Atëherë Jozafati uli për tokë fytyrën e tij, dhe tërë Juda dhe banorët e Jeruzalemit ranë përmbys përpara Zotit dhe e adhuruan.

  22. Pastaj Levitët, bijtë e Kehathitëve dhe të Korahitëve, u ngritën për të lëvduar me zë të lartë Zotin, Perëndinë e Izraelit.

  23. Mëngjesin vijues u çuan shpejt dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoas; ndërsa po viheshin për rrugë, Jozafati, duke qëndruar në këmbë, tha: "Dëgjomëni, o Judë, dhe ju banorë të Jeruzalemit! Besoni

  24. Pastaj, pasi u këshillua me popullin, caktoi ata që duhet t'i këndonin Zotit dhe duhet ta lëvdonin për shkëlqimin e shenjtërisë së tij, ndërsa ecnin përpara ushtrisë dhe thonin: "Kremtoni Zotin, sepse mirësia e tij zgjat përjetë".

  25. Kur ata filluan të këndojnë dhe të lëvdojnë, Zoti ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit që kishin ardhur kundër Judës, dhe mbetën të mundur.