Vargje biblike për Select Readings: The majesty of God
Vargje për The majesty of God
O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?
Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.
Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)
Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.
Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.
Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.
Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.
Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.
Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij.
Shkëlqimi i tij ishte si drita, rreze si shkëndi dilnin nga dora e tij dhe aty fshihej fuqia e tij.
Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij.
Ai ndalej dhe maste tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme.
Unë i shikoja në dëshpërim çadrat e Kushanit, pavijonet e vendit të Madianit dridheshin.
O Zot, a merrte zjarr vallë zemërimi yt kundër lumenjve? A ishte zemërimi yt kundër lumenjve ose tërbimi yt kundër detit, kur shkoje hipur mbi kuajt e tu, mbi qerret e tua të fitores?
Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë.
Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart.
Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese.
Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar.
Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin tënd; ti ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themelet e deri lart.