Vargje biblike për Select Readings: Man in extremity
Vargje për Man in extremity
"Të dua, o Zot, forca ime.
Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.
Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t'u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.
Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.
Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.
Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.
Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.
Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.
Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;
i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.
Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.
Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.
Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.
Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.
Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.
Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.
Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,
dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.