Skip to content

Vargje biblike për Kings

580 vargje · 175 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Eliseu u sëmur nga ajo sëmundje prej së cilës duhet të vdiste; prandaj Joasi, mbret i Izraelit, erdhi ta shohë dhe qau mbi të, duke thënë: "O ati im, o ati im, qerrja e Izraelit dhe kalorësia e tij!".

  2. Atëherë Eliseu i tha: "Merr një hark dhe disa shigjeta", ai mori një hark dhe disa shigjeta.

  3. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rroke harkun"; ai e rroku dhe Eliseu vuri duart e tij mbi duart e mbretit.

  4. Pastaj tha: "Hape dritaren nga lindja!". Ai e hapi. Atëherë Eliseu tha: "Gjuaj!". Ai gjuajti. Pas kësaj Eliseu i tha: "Shigjeta e fitores së Zotit dhe shigjeta e fitores kundër Sirëve, sepse ti do t'i mundësh Sirët në Afek deri sa t'i shfarosësh".

  5. Pastaj tha: "Merri shigjetat!", dhe ai i mori. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rrihe tokën"; ai e rrahu tri herë dhe pastaj u ndal.

  6. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të dhe i tha "Duhet ta kishe rrahur pesë ose gjashtë herë; atëherë do t'i kishe mundur Sirët deri sa t'i zhdukje fare; tani përkundrazi do t'i mundësh Sirët vetëm tri herë".

  7. Pastaj Eliseu vdiq dhe e varrosën. Në fillim të vitit vijues disa banda Moabitësh pushtuan vendin.

  8. Por ndodhi që, ndërsa disa varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit më këmbë.

  9. Hazaeli, mbret i Sirisë, e shtypi Izraelin gjatë tërë jetës së Jehoahazit;

  10. por Zoti i fali ata, i erdhi keq dhe u kthye me ta për shkak të besëlidhjes që kishte me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin; dhe këtë radhë nuk deshi t'i shkatërrojë apo t'i largojë nga prania e tij.

  11. Pastaj vdiq Hazaeli, mbret i Sirisë, dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Ben-Hadadi.

  12. Atëherë Joasi, bir i Jehoahazit rimori nga duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ai kishte marrë me luftë kundër Jehoahazit, atit të tij. Tri herë të mira Joasi e mundi dhe ripushtoi kështu qytetet e Izraelit.

  13. Vitin e dytë të Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Amatsiahu, bir i Joasit, mbret i Judës.

  14. Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jehoadan, ishte nga Jeruzalemi.

  15. Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo si Davidi, ati i tij; bëri gjithçka ashtu siç kishte vepruar Joasi, ati i tij.

  16. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

  17. Sa filloi të ushtrojë një kontroll të rreptë mbi mbretërinë, ai i vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë të atin, mbretin;

  18. por nuk vrau bijtë e vrasësve, sipas asaj që është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, në të cilin Zoti ka urdhëruar duke thënë: "Etërit nuk do të dënohen me vdekje për bijtë e tyre, as bijtë nuk do të vriten për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".

  19. Ai vrau dhjetë mijë Idumej në luginën e Kripës; dhe me luftë pushtoi Selën dhe i vuri emrin Joktheel, që ka mbetur deri më sot.

  20. Atëherë Amatsiahu i dërgoi lajmëtarë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit, për t'i thënë: "Eja, të ndeshemi njeri me tjetrin në betejë".

  21. Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t'i thonë Amatsiahut, mbretit të Judës: "Gjembi i Libanit i dërgoi fjalë kedrit të Libanit: "Jepi tët bijë për grua birit tim". Por andej kaloi një kafshë e egër e Libanit dhe e shkeli gjembin.

  22. Ti ke mundur Edomin dhe zemra jote të ka bërë krenar. Lavdërou megjithatë, por rri në shtëpinë tënde. Pse dëshiron një fatkeqësi, duke marrë më qafë veten dhe Judën bashkë me ty?".

  23. Por Amatsiahu nuk e dëgjoi. Kështu Joasi mbret i Izraelit, doli; prandaj ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën njeri me tjetrin në Beth-Shemesh, që ishte pronë e Judës.

  24. Juda u mund nga Izraeli, dhe secili prej tyre iku në çadrën e vet.

  25. Në Beth-Shemesh Joasi, mbret i Izraelit, kapi Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, që ishte bir i Ashaziahut. Pastaj shkoi në Jeruzalem ku bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit, nga porta e Efraimit deri te porta e Qoshes.