Vargje biblike për Journey of Israel Through The Desert
Vargje kyçe biblike
Kështu Balaami u çua në mëngjes, shaloi gomaricën e tij dhe shkoi bashkë me princat e Moabit.
Por zemërimi i Perëndisë u ndez sepse ai ishte nisur; dhe Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij. Ai i kishte hipur gomaricës së tij dhe kishte me vete dy shërbëtorë.
Gomarica pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë, doli nga rruga dhe hyri nëpër ara. Atëherë Balaami e rrahu gomaricën për ta kthyer përsëri në rrugë.
Por Engjëlli i Zotit u ndal në një shteg të ngushtë midis vreshtave, ku kishte një mur nga një anë dhe një mur nga ana tjetër.
Kur gomarica pa Engjëllin e Zotit, u shtrëngua pas murit dhe e shtypi këmbën e Balaamit pas murit; kështu Balaami e rrahu përsëri.
Atëherë Engjëlli i Zotit shkoi tutje dhe u ndal në një vend të ngushtë, ku nuk mund të lëvizje as djathtas as majtas.
Gomarica pa Engjëllin e Zotit dhe u shtri nën Balaamin; zemërimi i Balaamit u shtua dhe ai rrahu gomaricën me bastunin e tij.
Atëherë Zoti ia çeli gojën gomaricës që i tha Balaamit: "Çfarë të kam bërë që më rreh në këtë mënyrë tri herë me radhë?".
Dhe Balaami iu përgjegj gomaricës: "Pse je tallur me mua; sikur të kisha një shpatë në dorë, tani do të të vrisja".
Gomarica i tha Balaamit: "A nuk jam vallë gomarica me të cilën ke udhëtuar gjithnjë deri më sot? Mos vallë jam mësuar të sillem kështu me ty?". Ai u përgjegj: "Jo".
Atëherë Zoti ia hapi sytë Balaamit dhe ai pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë. Dhe Balaami u përkul dhe ra përmbys me fytyrën për tokë.
Engjëlli i Zotit i tha: "Pse e rrahe plot tri herë gomaricën tënde? Ja, unë kam dalë si armiku yt, sepse rruga që ndjek ti nuk pajtohet me vullnetin tim;
gomarica më pa dhe më ka evituar plot tri herë; në rast se nuk do të më kishte evituar, me siguri do të të kisha vrarë duke e lënë atë të gjallë".
Atëherë Balaami i tha Engjëllit të Zotit: "Unë kam bërë mëkat, sepse nuk e dija që ti rrije në rrugë kundër meje; prandaj tani, në se ajo që po bëj nuk të pëlqen, atëherë unë do të kthehem prapa".
Por Engjëlli i Zotit i tha Balaamit: "Shko, pra, me këta njerëz; por do të thuash vetëm ato gjëra që do të të them unë". Kështu Balaami shkoi me princat e Balakut.
Kur Balaku dëgjoi që Balaami po vinte, shkoi ta takojë në qytetin e Moabit që ndodhet në kufirin e shënuar nga Arnoni, në skajin e fundit të territorit të tij.
Kështu Balaku i tha Balaamit: "A nuk të kisha dërguar të të thërrisja me urgjencë? Pse nuk erdhe tek unë? A nuk jam vallë në gjendje të të nderoj?".
Balaami iu përgjegj Balakut: "Ja, erdha te ti; por tani a mund të them diçka? Fjalën që Perëndia do të më vërë në gojën time, atë do të them unë".
Balaami shkoi bashkë me Balakun dhe arritën në Kirjath-Hutsoth.
Pastaj Balaku flijoi qe dhe dele dhe u dërgoi disa prej tyre Balaamit dhe prijësve që ishin me të.
Në mëngjes Balaku mori Balaamin dhe u ngjit në Bamoth Baal, dhe këtej ai pa pjesën skajore të popullit.
Ndërsa Izraeli ndodhej në Shitim, populli filloi të shthurret me bijat e Moabit.
Ato e ftuan popullin të kryejë flijime për perënditë e tyre dhe populli hëngri dhe ra përmbys përpara perëndive të tyre.
Kështu Izraeli u bashkua me Baal-Peorin, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit.
Pas fatkeqësisë, ndodhi që Zoti u foli Moisiut dhe Eleazarit, birit të priftit Aaron, duke u thënë: