Vargje biblike për Journey of Israel Through The Desert: Tabernacle first set up
Vargje për Tabernacle first set up
Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë:
"Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes.
Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel.
Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij.
Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit.
Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes.
Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të.
Do t'i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit.
Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë.
Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë.
Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh.
Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë.
Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift.
Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t'i veshësh me tunika,
do t'i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t'u japë priftëri përjetë, brez pas brezi".
Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.
Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli.
Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij.
Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë;
e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit.
Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit;
dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.