Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Rebekah

106 vargje · 9 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron.

  2. Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e Kanaanejve, në vendin ku banoj;

  3. por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afëria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim".

  4. Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë".

  5. Por ai u përgjegj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.

  6. Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afëria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë".

  7. Sot kam arritur te burimi dhe thashë: "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar;

  8. Ja, unë po ndalem pranë burimit të ujit; bëj që vajza që ka për të dalë për të marrë ujë dhe së cilës do t'i them: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote",

  9. dhe që do të më thotë: "Pi sa ke nevojë dhe do të marr ujë edhe për devetë e tua", le të jetë gruaja që Zoti i ka caktuar djalit të zotërisë tim.

  10. Para se unë të kisha mbaruar së foluri në zemrën time, doli jashtë Rebeka me shtambën e saj mbi shpatull; ajo zbriti te burimi dhe mbushi ujë. Atëherë unë i thashë:

  11. "Oh, lermë të pi!". Dhe ajo shpejtoi ta ulte shtambën nga shpatulla e saj dhe u përgjegj: "Pi dhe do t'u jap të pinë edhe deveve të tua". Kështu unë piva dhe ajo u dha të pinë edhe deveve.

  12. Atëherë e pyeta dhe i thashë: "Bijë e kujt je?". Ajo m'u përgjegj: "Jam bijë e Bethuelit, biri i Nahorit, që Milkah lindi". Kështu unë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës.

  13. Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, Perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim.

  14. Dhe tani në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas".

  15. Atëherë Labano dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: "Kjo varet nga Zoti; ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq.

  16. Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti".

  17. Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre u përul për tokë përpara Zotit.

  18. Shërbëtori nxori sende të argjëndta dhe të arta si dhe rroba dhe ia dha Rebekës; dhe u dhuroi gjithashtu sende të vlefshme vëllait dhe nënës së Rebekës.

  19. Pastaj hëngrën e pinë ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të; u ndalën vetëm atë natë. Kur u ngritën në mëngjes, shërbëtori tha: "Më lini të kthehem te zotëria im".

  20. Vëllai dhe nëna e Rebekës thanë: "Lëre që vajza të rrijë disa ditë me ne, të paktën dhjetë ditë; pastaj mund të ikë".

  21. Por ai iu përgjegj atyre: "Mos më mbani, sepse Zoti e ka bërë të mbarë udhëtimin tim; më lini të iki, që unë të kthehem te zotëria im".

  22. Atëherë ata i thanë: "Të thërresim vajzën dhe ta pyesim atë".

  23. Atëherë thirrën Rebekën dhe i thanë: "A do të shkosh me këtë njeri?". Ajo u përgjegj: "Po, do të shkoj".

  24. Kështu e lanë Rebekën, motrën e tyre, të shkojë dhe tajën e saj të shkojë me shërbëtorin dhe njerëzit e Abrahamit.

  25. Dhe e bekuan Rebekën dhe i thanë: "Motra jonë, ti u bëfsh nëna e mijëra mizëri njerëzish dhe pasardhësit e tu paçin në dorë portat e armiqve të tyre".