Skip to content

Vargje biblike për Servants

291 vargje · 147 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart.

  2. Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lermë të pi pak ujë nga shtamba jote".

  3. Ajo u përgjegj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë.

  4. Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, deri sa të ngopen me ujë".

  5. Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij.

  6. Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij.

  7. Kur devetë mbaruan së piri, njeriu mori një unazë floriri për hundën që peshonte gjysmë sikli dhe dy byzylykë me një peshë prej dhjetë siklesh ari për kyçin e dorës së saj, dhe tha:

  8. "Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e babait tënd për ne, që ta kalojmë natën?".

  9. Ajo u përgjegj: "Unë jam bijë e Bethuelit, i biri i Milkahut, që ajo i lindi në Nahor".

  10. Dhe shtoi: "Tek ne ka shumë kashtë dhe forazh si dhe vend për të kaluar natën".

  11. Atëherë njeriu u përkul, adhuroi Zotin dhe tha:

  12. "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Abrahamit, zotërisë tim, që nuk ka pushuar të jetë dashamirës dhe besnik ndaj zotërisë tim! Sa për mua, gjatë udhëtimit, Zoti më çoi në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim".

  13. Dhe vajza vrapoi për t'i treguar këto gjëra në shtëpinë e nënës së saj.

  14. Por Rebeka kishte një vëlla të quajtur Labano. Dhe Labano doli me vrap jashtë drejt burimit te ai njeri.

  15. Sa pa unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës të së motrës dhe dëgjoi fjalët që Rebeka, motra e tij, thoshte: "Kështu më foli ai njeri", iu afrua këtij njeriu, dhe ja që u gjet pranë deveve, afër burimit.

  16. Dhe tha: "Hyrë, i bekuar nga Zoti! Pse rri jashtë? Unë kam përgatitur shtëpinë dhe një vend për devetë".

  17. Njeriu hyri në shtëpi, dhe Labano shkarkoi devetë, u dha kashtë dhe forazh deveve dhe solli ujë që të lante këmbët ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të.

  18. Pastaj i vunë përpara për të ngrënë, por ai tha: "Nuk do të ha deri sa të plotësoj porosinë që më kanë dhënë". Tjetri tha: "Fol".

  19. Atëherë ai tha: "Unë jam një shërbëtor i Abrahamit.

  20. Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë.

  21. Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron.

  22. Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e Kanaanejve, në vendin ku banoj;

  23. por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afëria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim".

  24. Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë".

  25. Por ai u përgjegj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.