Vargje biblike për Egypt: Joseph interprets Pharaoh's dreams
Vargje për Joseph interprets Pharaoh's dreams
Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorrën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni.
Dhe Faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh".
Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: "Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit".
Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit,
kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe.
Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe thatime; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit.
Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme;
por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova.
Pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur;
dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve.
Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjëndje të më jepte një shpjegim".
Atëherë Jozefi i tha Faraonit: "Éndërrat e Faraonit janë një ëndërr e njëjtë. Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë.
Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr.
Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke.
Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë.
Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit;
por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin.
Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë.
Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia, dhe Perëndia do të bëjë që të ndodhë shpejt.