Skip to content

Vargje biblike për Absalom

65 vargje · 10 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. i dyti qe Kileabi, ia lindi Karmelitja Abigail, dikur bashkëshorte e Nabalit; i treti qe Absalomi, bir i Maakahut, e bija e Talmait, mbret i Geshurit;

  2. Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara.

  3. Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit.

  4. Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: "Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!".

  5. Por mbreti i tha Absalomit: "Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë". Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij.

  6. Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?".

  7. Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit.

  8. Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: "Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t'ju them: "Goditeni Amnonin!", ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!".

  9. Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën.

  10. Absaloni kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij.

  11. Kështu Absalimo ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet.

  12. Joabi, bir i Tserujahut, vuri re që zemra e mbretit ishte e shqetësuar për Absalomin.

  13. Kështu Joabi dërgoi dikë në Tekoa dhe solli që andej një grua të urtë, së cilës i tha: "Bëj sikur mban zi dhe vish një palë rroba zije; mos u lyej me vaj, por sillu si një grua që qan prej kohe një të vdekur.

  14. Shko pra te mbreti dhe foli në këtë mënyrë". Dhe Joabi e mësoi se ç'duhej të thoshte.

  15. Gruaja e Tekoas shkoi të flasë me mbretin, u hodh me fytyrën për tokë, u përul dhe tha: "Ndihmomë, o mbret!".

  16. Mbreti i tha: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Mjerësisht jam e ve dhe burri më ka vdekur.

  17. Shërbëtorja jote kishte dy djem, por këta patën një grindje midis tyre në arë, dhe, me qenë se nuk kishte njeri t'i ndante, njeri gioditi tjetrin dhe e vrau.

  18. Tani tërë farë e fis është ngritur kundër shërbëtores sate, duke thënë: "Na dorëzo atë që vrau vëllanë, që ta bëjmë të vdesë për jetën e vëllait që ai ka vrarë dhe për të shfarosur edhe trashëgimtarin". Në këtë mënyrë do të shuhet e vetmja urë zjarri që më ka mbetur dhe nuk kanë për t'i lënë burrit tim as emër as pasardhës mbi faqen e dheut".

  19. Mbreti i tha gruas: "Shko në shtëpinë tënde; unë do të jap urdhrat për çështjen tënde".

  20. Gruaja e Tekoas i tha mbretit: "O mbret, zotëria ime, faji të bjerë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, por mbreti dhe froni i tij të jenë të pafaj".

  21. Mbreti tha: "Në qoftë se dikush të thotë diçka, sille tek unë dhe ke për të parë që nuk do të të bjerë më në qafë".

  22. Atëherë ajo tha: "Të mos e harrojë mbreti, të lutem, Zotin, Perëndinë tënd, në mënyrë që hakmarrësi i gjakut të mos vazhdojë të shkatërrojë dhe biri im të mos shfaroset". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, birit tënd, nuk do t'i bjerë në tokë asnjë qime floku!".

  23. Atëherë gruaja i tha: "Lejoje shërbëtoren tënde t'i thotë akoma një fjalë mbretit!". Ai u përgjigj: "Thuaje, pra".

  24. Gruaja ia rifilloi: "Pse ke menduar një gjë të tillë kundër popullit të Perëndisë? Duke folur në këtë mënyrë në fakt mbreti është deri diku fajtor, sepse mbreti nuk e kthen atë që është në mërgim.

  25. Ne duhet të vdesim dhe jemi si ujët që derdhet mbi tokë, që nuk mund të mblidhet; por Perëndia nuk të heq jetën, por gjen mënyrën që ai që është në mërgim të mos qëndrojë larg tij.