God
Vargje që përmendin God
O Zot, pse na bën që të endemi larg rrugëve të tua dhe pse fortëson zemrën tonë që të mos ketë frikë nga ti? Për hir të shërbëtorëve të tu, kthehu në fiset e trashëgimisë sate.
Brenda një kohe të shkurtër populli yt i shenjtë ka shtënë në dorë vendin; armiqtë tanë kanë shkelur shenjtëroren tënde.
Ne u bëmë si ata mbi të cilët nuk ke qeverisur kurrë, mbi të cilët emri yt nuk ishte thirrur kurrë.
Oh, sikur t'i shqyeje qiejtë dhe të zbrisje! Para teje do të tundeshin malet.
Ashtu si zjarri djeg degët e thata, ashtu si zjarri e bën ujin të valojë, zbrit për t'ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të tu dhe t'i bësh kombet të dridhen para teje.
Kur bëre gjëra të tmerrshme që nuk i prisnim, ti zbrite dhe malet u tundën në praninë tënde.
Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai.
Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për ty në rrugët e tua. Ja, ti je zemëruar sepse ne kemi mëkatuar; në këtë kemi vazhduar gjatë dhe kemi nevojë të shpëtohemi.
Nuk ka më njeri që të thërrasë emrin tënd, që lëviz për t'u kapur pas teje, sepse ti na e ke fshehur fytyrën tënde dhe na lë të tretemi në pushtetin e paudhësive tona.
Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua.
Mos u zemëro tepër, o Zot, dhe mos e kujto paudhësinë përjetë. Ja, shiko, të lutemi; ne të gjithë jemi populli yt.
Para këtyre gjërave do ta përmbash veten akoma, o Zot, do të heshtësh dhe do të na pikëllosh akoma shumë?
Më kanë kërkuar ata që nuk pyesnin për mua, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Dhe thashë: "Ja ku jam, ja ku jam" një kombi që nuk thërriste emrin tim.
I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel, që ecën nëpër një rrugë jo të mirë, duke ndjekur mendimet e tij;
një popull që vazhdimisht provokon zemërimin tim me pafytyrësi, që ofron flijime në kopshte dhe djeg temjan mbi altarë prej tullash,
që thotë: "Rri për llogari tënde, mos u afro, sepse jam më i shenjtë se ti". Këto gjëra janë për mua një tym në hundë, një zjarr që digjet tërë ditën.
"Ja, e tërë kjo është shkruar para meje; unë nuk do të hesht, por do të shpaguaj, po, do të shpaguaj në gji të tyre
paudhësitë tuaja dhe paudhësitë e etërve tuaj të gjitha së bashku", thotë Zoti. "Ata kanë djegur temjan mbi male dhe më kanë fyer mbi kodra; prandaj shpërblimin e sjelljes së tyre të kaluar do ta llogaris në gji të tyre".
Kështu thotë Zoti: "Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: "Mos e prishni, sepse në të ka një bekim", kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë.
Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty.
Sharoni do të bëhet një vathë kopesh dhe lugina e Akorit një vend për çlodhjen e bagëtisë së trashë, për popullin tim që do të më kërkojë.
Por ju që braktisni Zotin, që harroni malin tim të shenjtë, që përgatitni një sofër për Gadin dhe mbushni kupën e verës së droguar për Menin,
ju caktoj shpatës; do të rrëzoheni të gjithë nga masakra, sepse kur ju thirra nuk dhatë përgjigje, kur ju fola nuk dëgjuat, por keni bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe keni zgjedhur atë që nuk më pëlqen".
Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të keni uri; ja, shërbëtorët e mi do të pinë, por ju do të keni etje; ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen, por ju do të jeni të shushatur;
ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre, por ju do të bërtisni për ankthin e zemrës dhe do të ulërini për vuajtjen e frymës.