Skip to content
Gjoni 8:21-59

Gjoni 8:21-59

21
Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: ''Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini''.
22
Prandaj Judenjtë thoshnin: ''Mos don të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?''.
23
Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.
24
Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja''.
25
Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti?''. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Pikërisht atë që ju thashë.
26
Shumë gjëra kam për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju; por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, ia them botës''.
27
Ata nuk e kuptuan se ai po u fliste atyre për Atin.
28
Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.
29
Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s'më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë''.
30
Ndërsa ai thoshte këto gjëra, shumë veta besuan në të.
31
Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: ''Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi;
32
do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë''.
33
Ata iu përgjigjën: ''Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe s'kemi qenë kurrë sk-llevër të askujt; si mund të thuash ti: "Do të bëheni të lirë"?''.
34
Jezusi u përgjigj atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit.
35
Por skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi; ndërsa biri rri përgjithmonë.
36
Pra, nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë''.
37
''Unë e di se jeni pasardhësit e Abrahamit, por ju kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju.
38
Unë flas për ç'kam parë tek Ati im, dhe ju bëni gjërat që keni parë tek ati juaj''.
39
Ata, duke u përgjigjur, i thanë: ''Ati ynë është Abrahami''. Jezusi u tha atyre: ''Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit;
40
por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri.
41
Ju bëni veprat e atit tuaj''. Prandaj ata i thanë: ''Ne nuk lindëm nga kurvërimi; ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë''.
42
Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar.
43
Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.
44
Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës.
45
Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni.
46
Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni?
47
Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë''.
48
Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: ''A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?''.
49
Jezusi u përgjigj: ''Unë s'kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni.
50
Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon.
51
Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë''.
52
Pra Judenjtë i thanë: ''Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë".
53
Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?''.
54
Jezusi u përgjigj: ''Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s'është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.
55
Por ju ende s'e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij.
56
Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua''.
57
Judenjtë, pra, i thanë: ''Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?''.
58
Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam''.
59
Atëherë ata morën gurë, që t'i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Options