Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Samuel

135 vargje · 22 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.

  2. Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.

  3. Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t'u shërbyer perëndive të tjera.

  4. Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".

  5. Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.

  6. Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t'i marrë bijtë tuaj dhe do t'i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;

  7. për t'i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t'i vënë ata t'i lërojnë arat, t'i korrin të lashtat, t'i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.

  8. Do të marrë bijat tuaja për t'i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.

  9. Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

  10. Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

  11. Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t'i përdorur në punimet e tij.

  12. Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.

  13. Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t'ju përgjigjet".

  14. Me gjithatë populli nuk deshi t'i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: "Jo, do të kemi një mbret mbi ne.

  15. Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".

  16. Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit.

  17. Zoti i tha Samuelit: "Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta". Atëherë Samueli u tha njerëzve të Izraelit: "Secili të kthehet në qytetin e tij".

  18. Populli i tha atëherë Samuelit: "Kush ka thënë: "A duhet të mbretërojë Sauli mbi ne?". Na i jepni këta njerëz dhe ne do t'i vrasim".

  19. Por Sauli u përgjegj: "Asnjeri nuk do të vritet në këtë ditë, sepse sot Zoti ka realizuar një çlirim të madh në Izrael".

  20. Pastaj Samueli i tha popullit: "Ejani, shkojmë në Gilgal dhe aty ta përtërijmë mbretërinë".

  21. Kështu tërë populli shkoi në Gilgal dhe aty përpara Zotit në Gilgal e caktuan Saulin mbret. Aty përpara Zotit ofruan flijime falenderimi; dhe po aty Sauli dhe tërë njerëzit e Izraelit u gëzuan shumë.

  22. Atëherë Samueli i tha tërë Izraelit: "Ja, unë ju dëgjova për të gjitha ato që më thatë dhe vura një mbret mbi ju.

  23. Dhe tani ja, mbreti që do të shkojë para jush. Unë tashmë jam plak dhe i thinjur, dhe bijtë e mij janë midis jush, unë kam ecur para jush qysh nga rinia ime deri më sot.

  24. Ja ku jam, dëshmoni kundër meje përpara Zotit dhe përpara atij që është vajosur: Kujt i kam marrë kaun? Kujt i kam marrë gomarin? Kujt i kam ngrënë hakun? Cilin kam shtypur? Nga duart e kujt kam pranuar ndonjë dhuratë që më ka zënë sytë? Unë do t'jua kthej".

  25. Ata iu përgjegjën: "Ti nuk na ke ngrënë hakun, nuk na ke shtypur dhe nuk ke marrë asgjë nga duart e askujt".