Zanafilla 26:1-22
1
Por ndodhi një mungesë ushqimesh në vend, përveç asaj të parës që kishte ndodhur në kohën e Abrahamit. Pastaj Isaku shkoi tek Abimeleku, mbreti i Filistejve në Gerar.
2
Atëherë Zoti iu shfaq dhe i tha: "Mos zbrit në Egjipt, qëndro në vendin që do të të them.
3
Qëndro në këtë vend dhe unë do të jem me ty dhe do të të bekoj, sepse kam për të të dhënë ty dhe pasardhësve të tu tërë këto vende dhe do ta mbaj betimin që i kam bërë Abrahamit, babait tënd,
4
dhe do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit; do t'u jap atyre tërë këto vende, dhe të gjitha kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu,
5
sepse Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhërat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia".
6
Kështu Isaku qëndroi në Gerar.
7
Kur njerëzit e vendit i bënin pyetje rreth gruas së tij, ai u përgjigjej: "Éshtë motra ime", sepse kishte frikë të thoshte: "Éshtë gruaja ime", sepse mendonte: "Njerëzit e vendit mund të më vrasin për shkak të Rebekës, sepse ajo është e pashme".
8
Kur kishte kaluar një kohë e gjatë në atë vend, Abimelekut, mbretit të Filistejve, i rastisi të shikojë nga dritarja dhe pa Isakun që përkëdhelte Rebekën, gruan e tij.
9
Atëherë Abimeleku thiri Isakun dhe i tha: "Ajo është me siguri gruaja jote; si bëhet që ti the: "Ajo është motra ime"?". Isaku iu përgjegj: "Sepse thoja: "Nuk do të doja të vdes për shkak të saj"".
10
Abimeleku tha: "Ç'është kjo që na bëre? Ndokush nga populli mund të binte lehtë në shtrat me gruan tënde dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj të rëndë".
11
Kështu Abimeleku i dha këtë urdhër tërë popullit: "Kushdo që prek këtë njeri ose të shoqen do të dënohet pa tjetër me vdekje".
12
Isaku mbolli në atë vend dhe po atë vit korri një prodhim njëqind herë më të madh; dhe Zoti e bekoi.
13
Ky njeri u bë i madh dhe vazhdoi të rritet deri sa u bë jashtëzakonisht i madh.
14
Ai arriti të zotërojë kope dhënsh dhe qesh dhe kishte një numër të madh shërbëtorësh. Kështu Filistejtë e patën zili,
15
dhe për këtë arësye i zunë, duke i mbushur me dhe, tërë puset që shërbëtorët e babait të tij kishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij.
16
Atëherë Abimeleku i tha Isakut: "Largohu nga ne, sepse ti je shumë më i fuqishëm se ne".
17
Kështu Isaku u largua që andej dhe u vendos në luginën e Gerarit, dhe aty banoi.
18
Dhe Isaku filloi të hapë puse uji që ishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij, dhe që Filistejtë i kishin mbyllur mbas vdekjes së Abrahamit, dhe u vuri po ato emra që u kishte vënë babai i tij.
19
Pastaj shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë dhe gjetën aty një pus me ujë të freskët.
20
Por barinjtë e Gerarit u grindën me çobanët e Isakut, duke u thënë: "Uji është yni". Dhe ai e quajti pusin Esek, sepse ata e kishin kundërshtuar.
21
Shërbëtorët hapën pastaj një pus tjetër, por ata kundërshtuan edhe për këtë. Dhe Isaku e quajti Sitnah.
22
Atëherë ai u largua që andej dhe hapi një pus tjetër për të cilin nuk pati kundërshtim. Dhe ai e quajti atë Rehoboth, sepse ai tha: "Tani Zoti na ka vënë larg dhe ne do të kemi mbarësi në këtë vend".
Settings