1 Mbretërve 6:1-22
1
Në vitin katërqind e tetëdhjetë mbas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në vitin e katërt të mbretërimit të tij mbi Izrael, në muajin e Zivit, që është muaji i dytë, Salomoni filloi të ndërtojë shtëpinë e Zotit.
2
Tempulli që ndërtoi mbreti Salomon për Zotin ishte gjashtëdhjetë kubitë i gjatë, njëzet i gjerë dhe tridhjetë i lartë.
3
Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, i barabartë, pra, me gjerësinë e tempullit, dhe gjerësia e tij shtrihej dhjetë kubitë nga fasada e tempullit.
4
Në tempull vuri dritare me hekura.
5
Pranë murit të tempullit ai ndërtoi dhoma që rrethonin tërë murin e tempullit, si vendin e shenjtë ashtu dhe vendin shumë të shenjtë; kështu ai bëri dhoma anësore rreth e qark.
6
Dhomat e katit të parë ishin të gjera pesë kubitë, ato të katit të mesëm gjashtë kubitë dhe ato të katit të tretë shtatë kubitë; në fakt ai kishte ndërtuar dalje rreth e rrotull mureve të tempullit, në mënyrë që trarët e mbështetjes të mos futeshin në muret e tempullit.
7
Për ndërtimin e tempulit u përdorën gurë që ishin latuar në gurore; kështu gjatë ndërtimit të tempullit nuk u dëgjua zhurma e çekiçit, e sëpatës ose e ndonjë vegle tjetër prej hekuri.
8
Hyrja e katit të parë gjendej në krahun e djathtë të tempullit; kështu me anë të një shkalle në trajtë spirale hipje në katin e mesëm, dhe nga kati i mesëm në të tretin.
9
Mbasi përfundoi ndërtimin e tempullit, Salomoni e mbuloi me trarë dhe me dërrasa kedri.
10
Ndërtoi katet anësore me dhoma rreth e qark tempullit, secili i lartë pesë kubitë, dhe i lidhi me tempullin me trarë kedri.
11
Fjala e Zotit iu drejtua Salomonit, duke i thënë:
12
"Për këtë tempull që po më ndërton, në qoftë se ti u përmbahesh statuteve të mia, zbaton në praktikë dekretet e mia dhe u bind të gjitha urdhërimeve të mia duke ecur në to unë do të përmbush me ty premtimin që i dhashë Davidit, atit tënd:
13
do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe nuk do ta braktis popullin tim të Izrarelit".
14
Kështu Salomoni ndërtoi tempullin dhe e përfundoi.
15
Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të kedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.
16
Veshi gjithashtu me dërrasa kedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.
17
Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.
18
Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej kedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej kedri dhe nuk dukej asnjë gur.
19
Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.
20
Vendi shumë i shenjtë ishte njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë. Salomoni e veshi me ar të kulluar; dhe e veshi altarin me kedër.
21
Kështu Salomoni e veshi pjesën e brendshme të tempullit me ar të kulluar, shtriu zinxhira ari përpara vendit shumë të shenjtë dhe e veshi me ar.
22
Veshi me ar tërë tempullin deri sa mbaroi së ndërtuari dhe veshi me ar gjithashtu tërë altarin që i takonte vendit shumë të shenjtë.
Settings