Romakëve 9:6-29
6
Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.
7
As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: ''Në Isakun do të quhet pasardhja jote''.
8
Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.
9
Sepse kjo është fjala e premtimit: ''Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir''.
10
Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,
11
(sepse para se t'i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),
12
iu tha asaj: ''Më i madhi do t'i shërbejë më të voglit'',
13
siç është shkruar: ''E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun''.
14
Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!
15
Ai i thotë në fakt Moisiut: ''Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri''.
16
Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.
17
Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: ''Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun''.
18
Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do.
19
Ti do të më thuash, pra: ''Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t'i rezistojë vullnetit të tij?''.
20
Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë ena mjeshtrit: ''Përse më bërë kështu?''.
21
A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?
22
Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?
23
Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi,
24
mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë?
25
Ashtu si thotë ai te Osea: ''Unë do ta quaj popullin tim atë që s'ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin.
26
Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im", atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë''.
27
Por Isaia thërret për Izraelin: ''Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet''.
28
Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë.
29
Dhe ashtu si profetizoi Isaia: ''Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t'i kishim ngjarë Gomorës''.
Settings