Romakëve 8:18-39
18
Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.
19
Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë,
20
sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi,
21
me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.
22
Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.
23
Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.
24
Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë?
25
Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s'e shohim, atë gjë e presim me durim.
26
Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.
27
Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.
28
Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.
29
Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.
30
Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.
31
Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
32
Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?
33
Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.
34
Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.
35
Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?
36
Siç është shkruar: ''Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje''.
37
Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
38
Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,
39
as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Settings