Skip to content

Vargje biblike për Dedication

213 vargje · 28 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe priftërinjtë morën arkën;

  2. dhe çuan lart arkën e Zotit, çadrën e mbledhjeve dhe tërë orenditë e shenjta që ishin në çadër. Priftërinjtë dhe Levitët i mbartën këto gjëra.

  3. Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u mblodhën bashkë me të përpara arkës dhe flijuan një numër aq të madh delesh dhe qesh, që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.

  4. Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e saj, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.

  5. Në fakt kerubinët i shtrinin krahët e tyre mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.

  6. Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri në ditën e sotme.

  7. Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave prej guri që Moisiu kishte depozituar në malin Horeb, kur Zoti bëri një besëlidhje me bijtë e Izraelit, pas daljes së tyre nga vendi i Egjiptit.

  8. Por ndodhi që, ndërsa priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, reja e mbushi shtëpinë e Zotit,

  9. dhe priftërinjtë nuk mundën të qëndrojnë për të shërbyer për shkak të resë, sepse ladvia e Zotit mbushte shtëpinë e tij.

  10. Atëherë Salomoni tha: "Zoti ka thënë se do të banojë në një re të dendur.

  11. Unë kam ndërtuar për ty një shtëpi madhështore, një vend ku ti do të banosh për gjithnjë".

  12. Pastaj mbreti u kthye dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit, ndërsa tërë asambleja e Izraelit rrinte në këmbë.

  13. Dhe tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që i ka premtuar me gojën e tij atit tim David dhe që e ka mbajtur premtimin e dhënë me anë të fuqisë së tij, duke thënë:

  14. "Nga dita që nxora popullin tim të Izraelit nga Egjipti, unë nuk kam zgjedhur asnjë qytet midis tërë fiseve të Izraelit për të ndërtuar një shtëpi, ku emri im të qëndronte, por kam zgjedhur Davidin që të mbretërojë mbi popullin tim të Izraelit".

  15. Por Davidi, ati im, e kishte në zemër të ndërtonte një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit;

  16. por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, dhe bëre mirë të kesh një gjë të tillë në zemër;

  17. por nuk do të jesh ti që do të ndërtosh tempullin, do të jetë përkundrazi biri yt që do të dalë nga barku yt; do të jetë ai që do të ndërtojë tempullin në emrin tim".

  18. Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte thënë; dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim, u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte thënë Zoti, dhe ndërtova tempullin në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit.

  19. Atje kam përgatitur një vend për arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai lidhi me etërit tanë kur i nxori nga vendi i Egjiptit".

  20. Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit

  21. dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër.

  22. Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.

  23. Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit, nëqoftëse bijtë e tu të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti".

  24. Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim!

  25. Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!