God
Vargje që përmendin God
Por Moisiu tha: "Pse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t'ju dalë mbarë.
Mos u ngjitni, sepse do t'ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush.
Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kananejtë, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit, Zoti nuk do të jetë me ju".
Me gjithë atë ata patën guximin të ngjiten në majë të malit; por arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i kampit.
Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin ku duhet të banoni dhe që unë ju jap,
do t'i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr, një olokaust apo një flijim për kryerjen e një kushti apo si ofertë vullnetare ose në festat tuaja të caktuara, për t'i bërë një erë të këndshme Zotit me një kafshë, të marrë nga kopeja e kafshëve të trasha a të imta,
ai që do të paraqesë ofertën e tij Zotit, do të ofrojë si blatim ushqimor një të dhjetën e efas majë mielli të përzier me një çerek hini vaji;
dhe do të bësh një libacion vere prej një të trete hini si një ofertë me erë të këndshme për Zotin.
Por në rast se në vend të olokaustit ose të flijimit çon një dem të vogël, për kryerjen e një kushti apo të një flijimi falënderimi për Zotin,
dhe do të çosh si libacion gjysmë hini verë; është një flijim që bëhet me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin.
Të gjithë ata që kanë lindur në vend do veprojnë kështu, kur do t'i ofrojnë një flijim me zjarr, me erë të këndshme Zotit.
Dhe në se një i huaj që banon me ju ose kushdo tjetër që të ndodhet me ju në brezat e ardhshëm, dëshiron të ofrojë një flijim të bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin, do të veprojë si ju.
Do të ketë një statut të vetëm për gjithë asamblenë, për ju dhe për të huajin që banon midis jush; do të jetë një statut i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj; ashtu siç jeni ju, ashtu do të jetë edhe i huaji përpara Zotit.
Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të arrini në vendin ku po ju çoj unë,
dhe do të hani bukën e vendit, do t'i paraqisni Zotit një ofertë të lartë.
Nga prodhimi i parë i brumit tuaj do t'i jepni Zotit një ofertë të lartë për gjithë brezat tuaj.
Në qoftë se keni kryer një mëkat nga padituria dhe nuk keni respektuar të gjitha këto urdhërime që Zoti i ka dhënë Moisiut,
të gjitha ato që Zoti ka urdhëruar me anë të Moisiut, nga dita që Zoti ju ka dhënë urdhra dhe më vonë për të gjitha brezat tuaj,
në qoftë se mëkati është kryer nga padituria, pa u marrë vesh nga asambleja, gjithë asambleja do të ofrojë një dem të vogël si olokaust me erë të këndshme për Zotin së bashku me blatimin e tij të ushqimit dhe libacionin e tij simbas asaj që është dekretuar, si dhe një kec si flijim për mëkatin.
Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të gjithë asamblenë e bijve të Izraelit dhe ky mëkat do t'u falet, sepse është një mëkat i kryer nga padituria, dhe ata kanë sjellë ofertën e tyre, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, dhe flijimi i tyre për mëkatin, për mëkatin e tyre nga padituria përpara Zotit.
Dhe prifti do të bëjë shlyerjen përpara Zotit për personin që ka mëkatuar nga padituria, kur e ka bërë pa njohjen e duhur; prifti do të bëjë shlyerjen për të dhe mëkati do t'i falet.
Por ai që kryen një mëkat me qëllim, qoftë i lindur në vend apo i huaj, fyen Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.
Sepse ka përçmuar fjalën e Zotit dhe ka dhunuar urdhërimet e tij; ky njeri duhet të shfaroset, do të mbajë barrën e paudhësisë së tij".