God
Vargje që përmendin God
I ke vënë simbolet e tu idhujtarë prapa portave dhe pas shtalkave. Larg meje je zbuluar dhe je ngjitur tek ata; ke zgjeruar shtratin tënd dhe ke bërë një besëlidhje me ta, ke pëlqyer shtratin e tyre, duke synuar pushtetin e tyre.
Nga kush ke pasur frikë, nga kush je trembur për të gënjyer, për të mos më kujtuar mua dhe për të mos menduar më për mua? A nuk kam qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë? Prandaj nuk ke më frikë nga unë.
Unë do të shpall drejtësinë tënde dhe veprat e tua, që nuk do të hyjnë aspak në punë.
Kur do të bërtasësh, le të vijë të të shpëtojë turma e idhujve të tu. Era do t'i përlajë të tërë, një frymë do t'i çojë tutje. Por ai që gjen strehë tek unë do të zotërojë vendin dhe do të trashëgojë malin tim të shenjtë.
Dhe do të thuhet: "Sheshoni, sheshoni, shtroni rrugën, hiqni pengesat nga rruga e popullit tim!".
Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i "Shenjti": "Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve.
Sepse unë nuk dua të kundërshtoj gjithnjë dhe as të jem i zemëruar përjetë, përndryshe para meje do të ligështoheshin fryma dhe shpirtërat që kam bërë.
Për shkak të paudhësisë së lakmisë së tij u zemërova dhe e godita; u fsheha, u indinjova, por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së tij.
I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t'i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar.
Unë krijoj frytin e buzëve. Paqe, paqe atij që është larg dhe atij që është afër", thotë Zoti. "Unë do ta shëroj".
"Nuk ka paqe për të pabesët", thotë Perëndia im.
"Bërtit sa të mundësh, mos u kurse; ngrije zërin tënd si një bori dhe shpalli popullit tim shkeljet e tij dhe shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.
Më kërkojnë çdo ditë dhe dëshirojnë të njohin rrugët e mia, si një komb që zbaton drejtësinë dhe nuk braktis ligjin e Perëndisë të tij; më kërkojnë gjykime të drejta dhe dëshirojnë t'i afrohen Perëndisë.
A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri? A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit?
Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t'i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?
Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.
Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!". Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,
Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t'u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.
Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton
do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur".
Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar.
Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.
Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:
duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.
Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.