Skip to content
Mateu 27:32-50

Mateu 27:32-50

32
Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.
33
Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës",
34
i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.
35
Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç'ishte thënë nga profeti: ''I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time''.
36
Pastaj u ulën dhe e ruanin.
37
Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: ''KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE''.
38
Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.
39
Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,
40
dhe duke thënë: ''Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!''.
41
Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:
42
''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;
43
ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"''.
44
Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.
45
Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.
46
Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: ''Eli, Eli, lama sabaktani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.
47
Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ''Ky po thërret Elian''.
48
Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.
49
Por të tjerët thonin: ''Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar''.
50
Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Options