Zanafilla 42:9-25
9
Atëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre dhe tha: "Ju jeni spiunë! Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".
10
Ata iu përgjegjën: "Jo, zotëria im; shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime.
11
Jemi të gjithë bijtë e të njejtit njeri, jemi njerëz të ndershëm; shërbëtorët e tu nuk janë spiunë".
12
Por ai u tha atyre: "Jo, ju keni ardhur për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".
13
Atëherë ata thanë: "Ne, shërbëtorët e tu, jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të të njëjtit njeri nga vendi i Kanaanit. Dhe ja, pra, më i riu është sot me atin tonë, dhe njeri prej tyre nuk është më".
14
Por Jozefi u tha atyre: "Çështja qëndron ashtu siç ju thashë: ju jeni spiunë!
15
Ja si do të viheni në provë: ashtu siç është e vërteta që Faraoni jeton, nuk do të dilni këtej para se vëllai juaj më i vogël të vijë këtu.
16
Dërgoni njerin prej jush të marrë vëllanë tuaj; dhe ju do të qëndroni këtu në burg, që fjalët tuaja të provohen dhe të shihet nëse thoni të vërtetën; për ndryshe, ashtu siç është e vërtetë që Faraoni jeton, ju jeni spiunë!".
17
Kështu i futi bashkë në burg për tri ditë.
18
Ditën e tretë, Jozefi u tha atyre: "Bëni këtë dhe do të jetoni; unë kam frikë nga Perëndia!
19
Në rast se jeni njerëz të ndershëm, njeri nga ju vëllezërit të rrijë i lidhur me zinxhir në burgun tonë, dhe ju shkoni t'u çoni grurë familjeve tuaja që vdesin urie;
20
pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël; kështu do të vërtetohen fjalët tuaja dhe ju nuk keni për të vdekur". Dhe ata vepruan kështu.
21
Atëherë i thonin njëri-tjetrit: "Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi".
22
Rubeni iu përgjegj atyre duke thënë: "A nuk ju thoja unë: "Mos kryeni këtë mëkat kundër fëmijës!"? Por ju nuk më dëgjuat. Prandaj tani na kërkohet llogari për gjakun e tij".
23
Ata nuk e dinin që Jozefi i kuptonte, sepse midis tij dhe atyre kishte një përkthyes.
24
Atëherë ai u largua nga ata dhe qau. Pastaj u kthye pranë tyre dhe u foli; mori Simeonin dhe vuri ta lidhnin me zinxhir para syve të tyre.
25
Pastaj Jozefi urdhëroi të mbushnin me grurë thasët e tyre, të vendosnin paratë e secilit në trastën e tij dhe t'u jepnin ushqime për udhëtimin. Dhe kështu u bë.
Settings