Eksodi 18:1-12
1
Jethro, prift i Madianit, vjehrri i Moisiut, dëgjoi të gjitha ato që Perëndia kishte bërë për Moisiun dhe për Izraelin popullin e tij: si e kishte nxjerrë Zoti Izraelin nga Egjipti.
2
Atëherë Jethro, vjehrri i Moisiut, mori Seforan, gruan e Moisiut,
3
e cila i ishte kthyer, dhe dy bijtë e saj, prej të cilëve njëri quhej Gershom, (sepse Moisiu kishte thënë: "Kam qenë mik në tokë të huaj")
4
dhe tjetri Eliezer (sepse ai kishte thënë: "Perëndia i atit tim ka qenë ndihmësi im dhe më ka shpëtuar nga shpata e Faraonit").
5
Jethro, pra, vjehrri i Moisiut, erdhi te Moisiu bashkë me bijtë e tij dhe bashkëshorten e tij, në shkretëtirë ku ishte vendosur ai, në malin e Perëndisë.
6
I kishte çuar fjalë Moisiut: "Unë, Jethro, vjehrri yt, po vij te ti bashkë me gruan tënde dhe dy bijtë e saj".
7
Kështu Moisiu doli për të takuar vjehrrin e tij, u përkul dhe e puthi; pyetën njëri tjetrin për shëndetin e tyre, pastaj hynë në çadër.
8
Atëherë Moisiu i tregoi vjehrrit të tij të gjitha ato që Zoti u kishte bërë Faraonit dhe Egjiptasve për shkak të Izraelit, të gjitha fatkeqësitë e pësuara gjatë udhëtimit, dhe si i kishte shpëtuar Zoti.
9
Dhe Jethro u gëzua për të gjitha të mirat që Zoti i kishte bërë Izraelit, duke e shpëtuar nga dora e Egjiptasve.
10
Pastaj Jethro i tha: "Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e Egjiptasve dhe nga dora e Faraonit, dhe çliroi popullin nga zgjedha e Egjiptasve!
11
Tani e di që Zoti është më i madhi nga tërë perënditë; po, ai ua vërtetoi atyre me sa krenari, kur vepruan me kryelartësi kundër Izraelit".
12
Pastaj Jethro, vjehrri i Moisiut, mori një olokaust dhe disa fli për t'ia ofruar Perëndisë; dhe Aaroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën të hanë me vjehrrin e Moisiut përpara Perëndisë.
Settings