Mateu 22:1-22
1
Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:
2
''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.
3
Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.
4
Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë".
5
Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.
6
Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.
7
Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.
8
Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.
9
Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."
10
Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.
11
Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;
12
dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën.
13
Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".
14
Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.
15
Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.
16
Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.
17
Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?''.
18
Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: ''Pse më tundoni, o hipokritë?
19
Më tregoni monedhën e taksës''. Atëherë ata i treguan një denar.
20
Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''.
21
Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë''.
22
Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.
Settings