Zanafilla 35:1-15
1
Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Bethel dhe vendosu aty; dhe bëj aty një altar Perëndisë që t'u shfaq, kur ikje para vëllait tënd Esau".
2
Atëherë Jakobi i tha familjes së tij dhe gjithë atyre që ishin me të: "Hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobat tuaja;
3
pastaj të ngrihemi dhe të shkojmë në Bethel, dhe unë do t'i bëj një altar Perëndisë që plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë sime dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë".
4
Atëherë ata i dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në veshë; dhe Jakobi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit.
5
Pastaj ata u nisën dhe tmerri i Perëndisë ra mbi të gjitha qytetet rreth tyre, kështu që nuk i ndoqën bijtë e Jakobit.
6
Kështu Jakobi arriti në Luc, domethënë në Bethel, që ndodhet në vendin e Kanaanit; erdhi aty me të gjithë njerëzit që ishin me të.
7
Dhe aty ndërtoi një altar dhe këtë vend e quajti El-Bethel, sepse aty i qe çfaqur Perëndia kur po ikte para vëllait të tij.
8
Atëherë vdiq Debora, taja e Rebekës, dhe e varrosën poshtë Bethelit, në këmbët e lisit që u quajt Alon-Bakuth.
9
Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ky po vinte nga Padam-Arami dhe e bekoi.
10
Dhe Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; ti nuk do të quhesh më Jakob, por emri yt do të jetë Izrael". Dhe i vuri emrin Izrael.
11
Pastaj Perëndia i tha: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzo; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua;
12
dhe do të të jap ty dhe pasardhësve të tu pas teje vendin që i dhashë Abrahamit dhe Isakut".
13
Pastaj Perëndia u ngjit më lart nga ai, nga vendi ku i kishte folur.
14
Atëherë Jakobi ndërtoi një përmendore, një përmendore prej guri, në vendin ku Perëndia i kishte folur; mbi të hodhi pak verë dhe derdhi ca vaj sipër.
15
Dhe Jakobi e quajti Bethel vendin ku Perëndia i kishte folur.
Settings