1 Mbretërve 5:4-18
4
Por tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe rreth e qark; dhe nuk kam më kundërshtarë, as ndonjë fatkeqësi.
5
Prandaj tani kam ndërmend të ndërtoj një tempull në emër të Zotit, Perëndisë tim, sipas premtimit që i bëri Zoti atit tim David, kur i tha: "Yt bir, që unë do të vendos mbi fronin tënd, ka për të qënë ai që do të ndërtojë një tempull në emrin tim".
6
Jep urdhër, pra, që të priten për mua kedrat e Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë me shërbëtorët e tu, dhe si pagë unë do t'u jap shërbëtorëve të tu tërë ato që do të më kërkosh ti. Ti e di mirë që ndër ne nuk ka njeri që di t'i presë drurët si ata të Sidonit".
7
Kur Hirami i dëgjoi fjalët e Salomonit, u gëzua së tepërmi dhe tha: "Qoftë i bekuar sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një bir të urtë për të mbretëruar mbi këtë popull të madh".
8
Pastaj Hirami dërgoi t'i thotë Salomonit: "E shqyrtova me kujdes mesazhin që më çove. Unë do të bëj të gjitha ato që dëshiron ti lidhur me lëndën e kedrit dhe të qiparisit.
9
Shërbëtorët e mi do t'i sjellin nga Libani deri në det dhe do t'i transportojnë që andej me trap deri në vendin që ti do të më tregosh; pastaj do t'i shkarkojnë atje dhe ti do t'i çosh tutje. Si shpërblim, ti do të plotësosh dëshirën time, duke furnizuar me ushqime shtëpinë time".
10
Kështu Hirami e furnizoi Salomonin me tërë lëndën e kedrit dhe të qiparisit që ai kishte nevojë.
11
Salomoni nga ana e tij e furnizoi Hiramin me njëzet mijë kore gruri për të mbajtur shtëpinë e tij dhe njëzet kore vaj të pastër ulliri; Salomoni i jepte Hiramit çdo vit tërë këto gjëra.
12
Zoti i dha dituri Salomonit, ashtu siç ia kishte premtuar; kështu mbretëroi paqja midis Hiramit dhe Salomonit, dhe të dy bënë aleancë.
13
Mbreti Salomon rekrutoi njerëz për punë të detyruar në tërë Izraelin, dhe ata që u caktuan për punë të detyruar ishin tridhjetë mijë njerëz.
14
I dërgonte me turne në Liban nga dhjetëmijë në muaj; kalonin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre; Adonirami ishte drejtuesi i punimeve të detyruara.
15
Salomoni kishte gjithashtu shtatëdhjetë mijë njerëz që transportonin ngarkesa dhe tetëdhjetë mijë gurgdhëndës në male,
16
pa llogaritur tremijë e treqind përgjegjës të caktuar nga Salomoni për veprimtaritë e ndryshme dhe për të mbikqyrur personat e caktuar në punimet.
17
Mbreti urdhëroi të nxirreshin gurë të mëdhenj, gurë me vlerë dhe gurë katërkëndësh për të bërë themelet e tempullit.
18
Kështu punëtorët e Salomonit dhe punëtorët e Hiramit dhe Giblejtë nxorën gurët, dhe përgatitën lëndën e drurit dhe gurët për ndërtimin e tempullit.
Settings