Vargje biblike për Love to Christ
Vargje kyçe biblike
Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?
I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta.
Koka e tij është ar i kulluar, kaçurelat e flokëve të tij janë rica-rica, të zeza korb.
Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë.
Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët.
Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është i fildisht që shndrit, i mbuluar me safire.
Këmbët e tij janë kollona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si kedrat.
Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.
Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.
Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t'ia dorëzonin trupin.
Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër,
dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua.
Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''.
Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''.
E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia.