Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Economics: Political

25 vargje · 2 aspekte

Vargje për Political

  1. Prandaj Faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar dhe të urtë dhe ta caktojë në krye të Egjiptit.

  2. Faraoni duhet të veprojë kështu: të emërojë në vend mbikqyrës për të mbledhur një të pestën e prodhimeve të vendit të Egjiptit, gjatë shtatë viteve të bollëkut.

  3. Ata të grumbullojnë të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vinë dhe të grumbullojnë grurin nën autoritetin e Faraonit dhe ta ruajnë për furnizimin e qyteteve.

  4. Këto ushqime do të jenë një rezervë për vendin në parashikim të shtatë viteve të zisë së bukës që do të bjerë në vendin e Egjiptit; kështu vendi nuk do të humbasë nga zija".

  5. Kjo gjë i pëlqeu Faraonit dhe gjithë nëpunësve të tij.

  6. Dhe Faraoni u tha nëpunësve të tij: "A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?".

  7. Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Me qënë se Perëndia të bëri të dish të gjitha këto gjëra, nuk ka asnjeri të zgjuar dhe të ditur sa ti.

  8. Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t'u bindet urdhërave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti".

  9. Faraoni i tha Jozefit: "Shiko, unë të emëroj mbi gjithë shtetin e Egjiptit".

  10. Pastaj Faraoni hoqi unazën nga dora e vet dhe ia vuri në dorë Jozefit; e veshi me rroba krejt prej liri dhe i vari në qafë një gjerdan të artë.

  11. E hipi pastaj në karron e tij të dytë, dhe para tij thërrisnin: "Në gjunjë!". Kështu Faraoni e vendosi mbi tërë shtetin e Egjiptit.

  12. Veç kësaj Faraoni i tha Jozefit: "Faraoni jam unë, por pa ty asnjeri nuk ka për të ngritur dorën ose këmbën në tërë shtetin e Egjiptit".

  13. Dhe Faraoni e quajti Jozefin me emrin Cofnath-Paneah dhe i dha për grua Asenathin, të bijën e Potiferahut, prift i Onit. Dhe Jozefi u nis për të vizituar shtetin e Egjiptit.

  14. Tani Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur u paraqit para Faraonit, mbretit të Egjiptit. Pastaj Jozefi u largua nga Faraoni dhe i ra anembanë Egjiptit.

  15. Gjatë shtatë viteve të bollëkut, toka prodhoi shumë;

  16. dhe Jozefi grumbulloi tërë ushqimet në vendin e Egjiptit gjatë atyre shtatë viteve dhe i vendosi nëpër qytetet; në çdo qytet vendosi ushqimet e territorit përreth.

  17. Kështu Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit, aq shumë sa pushoi së mbajturi llogari sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme.

  18. Para se të vinte viti i zisë, Jozefit i lindën dy fëmijë që Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit, i lindi.

  19. Jozefi e quajti të parëlindurin Manasi, sepse tha: "Perëndia bëri që të harroj çdo shqetësim timin dhe tërë shtëpinë e atit tim".

  20. Të dytit i vuri emrin Efraim, sepse tha: "Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim".

  21. Shtatë vitet e bollëkut që qenë në shtetin e Egjiptit morën fund,

  22. dhe filluan shtatë vitet e zisë, ashtu si kishte thënë Jozefi. Kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë.

  23. Pastaj tërë vendi i Egjiptit filloi të vuajë nga uria, dhe populli e ngriti zërin për t'i kërkuar bukë Faraonit. Atëherë Faraoni u tha tërë Egjiptasve: "Shkoni tek Jozefi dhe bëni si t'ju thotë ai".

  24. Zija ishte përhapur mbi sipërfaqen e tërë vendit dhe Jozefi i hapi tërë depot dhe u shiti grurë Egjiptasve. Por zija u bë më e rëndë në vendin e Egjiptit.

  25. Kështu njerëzit e të gjitha vendeve vinin në Egjipt te Jozefi për të blerë grurë, sepse zija qe shtuar mbi tërë tokën.