Luka 9:7-18
7
Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri,
8
të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë.
9
Por Herodi tha: ''Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?''. Dhe kërkonte ta shihte.
10
Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.
11
Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.
12
Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: ''Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë''.
13
Por ai u tha atyre: ''U jepni ju të hanë''. Ata u përgjigjen: ''Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz''.
14
Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: ''I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë''.
15
Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.
16
Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës.
17
Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.
18
Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi po lutej në vetmi, dishepujt ishin bashkë me të. Dhe ai i pyeti duke thënë: ''Kush thonë turmat se jam unë?''.
Settings