2 Mbretërve 25:1-21
1
Vitin e nëntë të mbretërisë së tij në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, ndodhi që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, ngriti kampin e tij kundër tij dhe ndërtoi përreth vepra rrethonjëse.
2
Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.
3
Ditën e nëntë të muajit të katërt, uria ishte aq e madhe në qytet sa që nuk kishte bukë për popullin e vendit.
4
Atëherë u hap një e çarë në muret e qytetit dhe tërë luftëtarët ikën natën, nëpër rrugën e portës midis dy mureve, që ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu mbreti mori rrugën e Arabahut.
5
Por ushria e Kaldeasve e ndoqi mbretin dhe e arriti në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij shpërndahej larg tij.
6
Kështu ata e zunë mbretin dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku u shqiptua vendimi kundër tij.
7
Vranë pastaj bijtë e Sedekias në sytë e tij; pastaj i nxorën sytë Sedekias, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
8
Ditën e shtatë të muajit të pestë (ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë) arriti në Jeruzalem Nebuzaradani, kapiteni i rojes personale, shërbëtor i mbretit të Babolonisë.
9
Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, i vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit, domethënë tërë shtëpive të fisnikëve.
10
Kështu tërë ushtria e Kaldeasve, që ishte me kapitenin e rojeve, shembi muret që rrethonin Jeruzalemin.
11
Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.
12
Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfërit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.
13
Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.
14
Ata muarrën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.
15
Kapiteni i rojes mori gjithashtu mangallët dhe kupat, ato gjëra që ishin prej ari dhe argjendi të pastër.
16
Sa për dy shtyllat, detin dhe qerret që Salomoni kishte ndërtuar për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre objekteve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.
17
Lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; mbi të kishte një kapitel prej bronzi. Lartësia e kapitelit ishte tre kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë tërësisht prej bronzi. Shtylla tjetër, me rrjetëzën ishte njëlloj si kjo.
18
Kapiteni i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonien, priftin e dytë dhe tre derëtarët.
19
Nga qyteti mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët; pesë nga këshilltarët personalë të mbretit që i gjetën në qytet; sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit, dhe gjashtëdhjetë veta nga populli i vendit që u gjetën në qytet.
20
Kështu Nebuzaradani, kapiten i rojes, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah;
21
dhe mbreti i Babilonisë urdhëroi që të vriten në Riblah, në vendin e Hamathit. Kështu Juda u internua larg vendit të tij.
Settings