Kalo te përmbajtja

Psalmet37

Mos u zemëro, por ki besim te Zoti

1
Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2
sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.

Gëzohu te Zoti

3
Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4
Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5
Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6
Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

Qëndro i qetë te Zoti dhe prit me durim

7
Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
8
Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
9
Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
10
Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.
11
Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.

Triumfi jetëshkurtër i të pabesëve

12
I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13
Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.
14
Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.
15
Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
16
Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.
17
Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.
18
Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.
19
Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.
20
Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.

Siguria dhe përkujdesja për të drejtët

21
I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.
22
Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.
23
Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
24
Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
25
Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.
26
Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.
27
Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
28
Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t'i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
29
Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.
30
Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.
31
Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.
32
I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.
33
Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

Prit Zotin dhe vëzhgo drejtësinë e tij

34
Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.
35
E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,
36
por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.
37
Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
38
Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
39
Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40
Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.
Use arrow keys to navigate
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Reading Width 45 chars

Options