Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Persia

117 vargje · 9 aspekte

Vargje kyçe biblike

Filtro sipas librit
  1. "Por ditët e fundit do të ndodhë që unë do ta kthej Elamin nga robëria", thotë Zoti.

  2. Mprehni shigjetat, rrokni mburojat. Zoti ka zgjuar frymën e mbretërve të Medasve, sepse qëllimi i tij kundër Babilonisë është shkatërrimi i saj, sepse kjo është hakmarrja e Zotit, hakmarrja e tempullit të tij.

  3. Ngrini flamurin mbi muret e Babilonisë. Përforconi rojet, vendosni shigjetarë, përgatitni kurthe. Sepse Zoti ka menduar dhe ka zbatuar atë që ka thënë kundër banorëve të Babilonisë.

  4. O ti që banon pranë ujërave të mëdha, të pasura në thesarë, fundi yt erdhi, fundi i fitimeve të tua të padrejta.

  5. Zoti i ushtrive i është betuar në veten e tij: "Unë do të të mbush me njerëz si miza që do të ngrenë kundër teje britma lufte".

  6. Ai ka bërë tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarësinë e tij.

  7. Kur nxjerr zërin e tij, ka një zhurmë ujërash në qiell; ai bën që të ngjiten avujt nga skajet e tokës, prodhon rrufetë për shiun dhe e nxjerr erën nga depozitat e tij.

  8. Çdo njeri atëherë bëhet budalla, pa njohuri, çdo argjendar ka turp për shëmbëlltyrën e tij të gdhendur, sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është një gënjeshtër, dhe nuk ka frymë jetësore në to.

  9. Janë kotësi, vepra mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.

  10. Trashëgimia e Jakobit nuk është si ata, sepse ai ka sajuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zoti i ushtrive.

  11. "Ti je për mua një çekiç, një mjet lufte; me ty do të shtyp kombet, me ty do të shkatërroj mbretëritë;

  12. me ty do të copëtoj kalë dhe kalorës, me ty do të copëtoj qerre dhe karrocier;

  13. me ty do të copëtoj burrë dhe grua, me ty do të copëtoj plak dhe fëmijë, me ty do të copëtoj të riun dhe virgjëreshën;

  14. me ty do të copëtoj bariun dhe kopenë e tij, me ty do të copëtoj katundarin dhe pendën e tij të qeve, me ty do të copëtoj qeveritarët dhe gjykatësit.

  15. Por unë do t'i shpërblej Babiloninë dhe tërë banorët e Kaldesë për tërë të keqen që i kanë bërë Sionit para syve tuaj", thotë Zoti.

  16. "Ja ku jam kundër teje, o mal i shkatërrimit", thotë Zoti, "ti që shkatërron tërë tokën. Unë do të shtrij dorën time kundër teje, do të të rrokullis poshtë nga shkëmbinjtë dhe do të të bëj një mal të djegur.

  17. Nga ti nuk do të merren më as gurë të qoshes, as gurë themeli, por ti do të bëhesh një shkreti përjetë, thotë Zoti.

  18. Ngrini një flamur në vend, bjerini borisë midis kombeve; përgatitni kombet kundër saj, thirrni të mblidhen kundër saj mbretëritë e Araratit, Minit dhe Ashkenazit. Emëroni kundër saj një komandant. Bëni që të përparojnë kuajt si karkaleca të kreshtë.

  19. Përgatitni kundër saj kombet, me mbretëritë e Medisë, me qeveritarët e tij, me të gjithë gjykatësit dhe tërë vendet e zotërimeve të tij.

  20. Toka do të dridhet dhe do të mbajë zi, sepse planet e Zotit kundër Babilonisë do të realizohen, për ta katandisur vendin e Babilonisë në një shkreti, pa banorë.

  21. Trimat e Babilonisë kanë hequr dorë nga lufta; kanë mbetur në fortesat e tyre; forca e tyre është ligështuar, janë bërë si gra. U kanë vënë zjarrin banesave të saj, shulet e portave të tyre janë thyer.

  22. Korrieri vrapon përballë korrierit dhe lajmëtari përballë lajmëtarit për t'i njoftuar mbretit të Babilonisë që qyteti i tij është marrë nga çdo anë;

  23. vahet që mund të kalohen më këmbë janë zënë, kënetat janë në flakë dhe luftëtarët janë të tmerruar.

  24. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Bija e Babilonisë është si një lëmë në kohën që shkelet; edhe pak dhe do të vijë për të koha e korrjes".

  25. "Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, na ka gëlltitur, na ka shtypur, na ka katandisur si një enë bosh; na ka gëlltitur si një dragua, ka mbushur barkun e tij me ushqimet tona të shijshme, na ka përzënë.