Kalo te përmbajtja

God

11,427 vargje · 2 anëtarë të familjes

Vargje që përmendin God

Filtro sipas librit
  1. Do të të hedh ty dhe nënën tënde që të ka lindur në një vend të huaj, ku nuk keni lindur dhe aty do të vdisni.

  2. O vend, o vend, o vend, dëgjo fjalën e Zotit!

  3. Kështu thotë Zoti: "Regjistrojeni këtë njeri si pa fëmijë, një njeri që nuk do të begatohet në ditët e tij, sepse asnjë nga pasardhësit e tij nuk do të ketë mbarësi, duke arritur të ulet mbi fronin e Davidit dhe të mbretërojë akoma në Judë"".

  4. "Mjerë barinjtë që prishin dhe shpërndajnë kopenë e kullotës sime", thotë Zoti.

  5. Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullosin popullin tim: "Ju keni shpërndarë delet e mia, i keni përzënë dhe nuk keni pasur kujdes për to; ja, unë do t'ju dënoj për ligësinë e veprimeve tuaja", thotë Zoti.

  6. "Por do të mbledh kusurin e deleve të mia nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë dhe do t'i çoj përsëri në kullotat e tyre, ku do të jenë pjellore dhe do të shumohen.

  7. Do të caktoj mbi to barinj që do t'i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre", thotë Zoti.

  8. "Ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

  9. Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti drejtësia jonë".

  10. Pra, ditët po vijnë", thotë Zoti, "gjatë të cilave nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që i nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit",

  11. por: "Për Zotin e gjallë që nxori dhe çoi përsëri pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga të tëra vendet ku i kisha shpërndarë"; dhe ata do të qëndrojnë në vendin e tyre".

  12. Zemra ime është thyer brenda meje për shkak të profetëve, tërë kockat e mia dridhen. Jam si një i dehur, si një njeri i mposhtur nga vera, për shkak të Zotit dhe fjalëve të tij të shenjta.

  13. "Si prifti ashtu edhe profeti janë prishur; po, e kam gjetur ligësinë e tyre edhe në vetë shtëpinë time", thotë Zoti.

  14. "Prandaj rruga e tyre do të jetë për ta si shtigje ku njeriu shket; do të shtyhen në errësirë dhe do të rrëzohen nëpër to, sepse do të bëj që të bjerë mbi ta një gjëmë, në vitin e dënimit të tyre", thotë Zoti.

  15. "Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.

  16. Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".

  17. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t'i ushqej me pelin dhe do t'i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".

  18. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

  19. U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t'ju vijë".

  20. Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?

  21. Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.

  22. Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet deri sa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.

  23. Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.

  24. Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.

  25. A jam unë vetëm një Perëndi nga afër", thotë Zoti, "apo dhe një Perëndi nga larg?