Marku 12:1-21
1
Pastaj ai filloi t'u flasë me shëmbëlltyra: ''Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, gërmoi një vend për të shtrydhur rrushin, ndërtoi një kullë dhe ua besoi disa vreshtarëve dhe pastaj shkoi larg.
2
Në kohën e të vjelave dërgoi shërbëtorin te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të frutave të vreshtit.
3
Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarbosh.
4
Ai u nisi përsëri një shërbëtor tjetër, por ata, mbasi e gjuajtën me gurë, e plagosën në kokë dhe e kthyen të turpëruar.
5
Përsëri dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Më pas dërgoi shumë të tjerë dhe nga këta disa i rrahën, të tjerët i vranë.
6
I ngeli edhe një për të dërguar: birin e tij të dashur. Më së fundi ua dërgoi edhe atë duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt".
7
Por ata vreshtarë i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe do të na mbesë trashëgimia".
8
Dhe e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.
9
Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë dhe do t'i shfarosë vreshtarët dhe vreshtin do t'ua japë të tjerëve.
10
Po a nuk e keni lexuar këtë shkrim: "Guri, që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes.
11
Kjo është bërë nga Zoti dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë"?''.
12
Atëherë ata kërkuan ta kapin, sepse kuptuan se ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; por kishin frikë nga turma; dhe e lanë e ikën.
13
Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë.
14
Këta erdhën dhe i thanë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë pa pyetur për njeri, sepse nuk merr parasysh dukjen e njerëzve, por u mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. A është e ligjëshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo jo?
15
Por ai, duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha atyre: ''Përse më tundoni? Më sillni një denar që ta shoh!''.
16
Ata ia prunë. Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''. Ata i thanë: ''E Cezarit''.
17
Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''. Dhe ata u çuditën nga ai.
18
Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë:
19
''Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i lindur pasardhës vëllait të tij.
20
Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
21
E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti.
Settings