Skip to content
Gjoni 2:1-12

Gjoni 2:1-12

1
Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2
Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
3
Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''.
4
Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''.
5
Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''.
6
Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
7
Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë.
8
Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan.
9
Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
10
dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''.
11
Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.
12
Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Options