Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Shunammite

30 vargje · 1 aspekt

Vargje kyçe biblike

  1. Ndodhi që një ditë Eliseu shkoi në Shunem, ku banonte një grua e pasur, dhe kjo e detyroi të hante pak ushqim. Kështu sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo.

  2. Ajo i tha burrit të saj: "Ja, unë jam e sigurt që ai që kalon gjithnjë te neve është një njeri i shenjtë i Perëndisë.

  3. Të lutem, të ndërtojmë një dhomë të vogël me mur në katin e sipërm dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë".

  4. Një ditë që Eliseu po kalonte andej shkoi në dhomën lart dhe u shtri.

  5. Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Thirre këtë Shunamite". Ai e thirri dhe ajo u paraqit përpara tij.

  6. Pastaj Eliseu i tha shërbëtorit të tij: "I thuaj kështu: "Ja, ti ke treguar një kujdes të veçantë për ne; çfarë mund të bëj për ty? A dëshiron t'i them diçka në emrin tënd mbretit apo komandantit të ushtrisë?"". Ajo u përgjigj:

  7. "Unë jetoj në mes të popullit tim". Atëherë Eliseu i tha: "Çfarë mund të bëj për të?". Gehazi u përgjigj: "Të thuash të vërtetën, ajo nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i vjetër".

  8. Eliseu i tha: "Thirre!". Ai e thirri dhe ajo u ndal te porta.

  9. Atëherë Eliseu i tha: "Në këtë stinë, mot, ti do të përqafosh një bir". Ajo u përgjigj: "Jo, imzot; o njeri i Perëndisë, mos e gënje shërbëtoren tënde!".

  10. Gruaja mbeti me barrë dhe lindi një djalë vitin tjetër, në po atë stinë siç i kishte thënë Eliseu.

  11. Fëmija u rrit; një ditë që kishte vajtur tek i ati bashkë me korrësit,

  12. i tha të atit: "Koka ime, koka ime!". I ati urdhëroi shërbëtorin e tij: "Çoje tek e ëma!".

  13. Ky e mori dhe e çoi tek e ëma. Fëmija qëndroi në prehrin e saj deri në mesditë, pastaj vdiq.

  14. Atëherë ajo u ngjit, u shtri në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli portën prapa tij dhe doli.

  15. Pastaj thirri burrin e saj dhe i tha: "Të lutem, më dërgo një nga shërbëtorët e tu dhe një gomare; po vrapoj te njeriu i Perëndisë dhe po kthehem".

  16. Ai e pyeti: "Pse dëshiron të shkosh tek ai pikërisht sot? Nuk është as dita e hënës së re, as e shtuna". Ajo u përgjigj: "Çdo gjë do të shkojë mbarë!".

  17. Pastaj vuri t'i shalojnë gomaren dhe urdhroi shërbëtorin e vet: "Më udhëhiq dhe shko përpara; mos e ngadalëso hapin për mua, veçse po ta urdhërova unë".

  18. Kështu ajo u nis dhe shkoi te njeriu i Perëndisë, në malin Karmel. Sa e pa njeriu i Perëndisë nga larg, i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Ja, Shunamitja!

  19. Të lutem, shko ta takosh dhe i thuaj: "A je mirë? A është mirë burri yt? Dhe fëmija a është mirë?"". Ajo u përgjigj: "Janë mirë".

  20. Kur arriti te njeriu i Perëndisë në mal, i përqafoi këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: "Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar, dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar".

  21. Ajo tha: "A i kisha kërkuar, vallë një bir zotit tim? A nuk të kisha thënë vallë: "Mos më gënje"?".

  22. Atëherë Eliseu i tha Gehazit: "Ngjeshe brezin, merr në dorë bastunin tim dhe nisu. Në qoftë se takon ndonjë njeri, mos e përshëndet; dhe në qoftë se dikush të përshëndet, mos iu përgjigj: do ta vendosësh bastunin tim mbi fytyrën e fëmijës".

  23. E ëma e fëmijës i tha Eliseut: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu Eliseu u ngrit dhe i shkoi pas.

  24. Gehazi i kishte paraprirë dhe kishte vënë bastunin mbi fytyrën e fëmijës, por nuk pati as zë as përgjigje. Prandaj ai u kthye të takohet me Eliseun dhe i tregoi atë që i kishte ndodhur, duke i thënë: "Fëmija nuk u zgjua".

  25. Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij.