Nahumi 3:1-13
1
Mjerë qyteti gjakatar, që është plot me hile dhe me dhunë dhe që nuk po heq dorë nga grabitjet!
2
Kërcet kamxhiku, zhurmë shurdhuese rrotash, kuajsh që vrapojnë dhe qerresh që hovin,
3
kalorës në sulm shpata flakëruese, ushta që shndritin, një shumicë e madhe të vrarësh, të vdekur të shumtë, kufoma pa fund; pengohesh te kufomat.
4
Të gjitha këto për shkak të kurvërimeve të shumta të prostitutes joshëse, mjeshtre në artet magjike që i shiste kombet me kurvërimet e saj dhe popujt me artet e saj magjike.
5
"Ja, unë jam kundër teje", thotë Zoti i ushtrive, "unë do të ngre cepat e rrobës sate deri në fytyrë dhe do t'u tregoj kombeve lakuriqësinë tënde dhe mbretërive turpin tënd.
6
Do të të hedh përsipër ndyrësi, do të të bëj të neveritshme dhe do të të nxjerr te shtylla e turpit.
7
Do të ndodhë që të gjithë ata që do të të shikojnë do të largohen prej teje dhe do të thonë: "Ninive është shkretuar! Kujt do t'i vijë keq për të?". Ku t'i kërkoj ngushëllonjësit e saj?".
8
A je më e bukur se No-Amoni, që ndodhet midis kanaleve të Nilit, i rrethuar nga ujërat dhe që e kishte detin si ledh dhe detin si mur?
9
Etiopia dhe Egjipti ishin forca e tij dhe nuk kishin kufi; Puti dhe Libianët ishin aleatët e tij.
10
Megjithatë edhe ai u internua, shkoi në robëri; edhe fëmijët e tij u bënë copë-copë në hyrje të çdo rruge; kanë hedhur shortin mbi fisnikët e tij dhe tërë të mëdhenjtë e tij u lidhën me zinxhirë.
11
Ti gjithashtu do të jesh e dehur dhe do të fshihesh; ti gjithashtu do të kërkosh një vend të fortifikuar përpara armikut.
12
Tërë fortesat e tua do të jenë si druri i fikut me fiq të parë; po t'i shkundësh, bien në gojë të atij që i ha.
13
Ja, trupat e tua në mes teje janë si gra; portat e vendit tënd janë të hapura përpara armiqve të tu; zjarri ka gllabëruar hekurat e portave të tua.
Settings