Jeremia 48:1-20
1
Kundër Moabit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Mjerë Nebi, sepse u shkatërrua; Kiriathaimi është mbuluar nga turpi, është pushtuar; kështjella është mbuluar nga turpi dhe është e tronditur.
2
Lavdia e Moabit nuk është më; në Heshbon kurdisin të keqen kundër tij, duke thënë: "Ejani dhe ta shkatërrojmë, në mënyrë që të mos jetë më një komb". Edhe ti, o Madmen, do të shkatërrohesh, shpata do të të ndjekë.
3
Një zë që kërkon ndihmë do të dalë nga Horonaimi: shkatërrim dhe rrënim i thellë!
4
Maobi është copëtuar, të vegjlit e tij bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre.
5
Mbi të përpjetën e Luhithit po ngjiten duke qarë në hidhërim, ndërsa në tatëpjetën e Horonaimit dëgjohet zëri plot ankth i disfatës.
6
Ikni, shpëtoni jetën tuaj dhe bëhuni si një marinë në shkretëtirë!
7
Duke qënë se ke pasë besim në veprat e tua dhe në thesaret e tua, edhe ti do të kapesh; dhe Kemoshi do të shkojë në robëri bashkë me priftërinjtë dhe princat e tij.
8
Shkatërruesi do të vijë kundër të gjitha qyteteve, dhe asnjë qytet nuk do të shpëtojë; lugina do të zhduket dhe fusha do të shkatërrohet, ashtu si ka thënë Zoti.
9
I jepni krahë Moabit, që të mund të fluturojë tutje; qytetet e tij do të bëhen të shkreta dhe askush nuk do të banojë në to.
10
I mallkuar qoftë ai që kryen veprën e Zotit shkel e shko, i mallkuar qoftë ai që e pengon shpatën e tij të derdhë gjak!
11
Moabi ka qënë i qetë qysh në moshë të re, duke pushuar mbi llumin e tij, dhe nuk ka kaluar nga një enë në enën tjetër dhe as që ka shkuar në robëri; prandaj i ka mbetur shija e tij dhe parfumi i tij nuk ka pësuar ndryshime.
12
Prandaj ja, do vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do t'i dërgoj disa njerëz që do t'i toçitin enët; do t'i zbrazin enët e tij dhe do t'i thyejnë anforat e tij.
13
Atëherë Moabit do t'i vijë turp nga Kemoshi, ashtu si shtëpia e Izraelit u turpërua nga Betheli, tek i cili kishte pasur besim.
14
Si mund të thoni: "Ne jemi burra të fortë dhe trima për betejën"?
15
Moabi është shkatërruar; qytetet e tij po nxjerrin tym dhe të rinjtë e tyre më të mirë zbresin në kasaphanë", thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive.
16
Gjëma e Moabit është tashmë e afërt dhe kobi po i vjen me hapa të shpejtë.
17
Mbani zi për të, të gjithë ju që e rrethoni dhe të gjithë ju, që njihni emrin e tij, thoni: "Si u thye ai skeptër i fortë, ai bastun i mrekullushëm?".
18
O bijë që banon në Dibon, zbrit nga lavdia jote dhe ulu në tokën e zhuritur, sepse shkatërruesi i Moabit ka dalë kundër teje, ka shkatërruar kështjellat e tua.
19
O ti që banon në Aroer, ndalu gjatë rrugës dhe shiko; merr në pyetje ikanakun dhe atë që po ikën dhe pyet: "Çfarë ka ndodhur?".
20
Moabi është mbuluar me turp, sepse është i thyer; rënkoni dhe bërtisni, njoftoni mbi Arnonin që Moabi është shkatërruar!
Settings