Eksodi 12:1-28
1
Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit, duke u thënë:
2
"Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit.
3
I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi.
4
Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund tëhajë.
5
Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec.
6
Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.
7
Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.
8
Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.
9
Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.
10
Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç'të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.
11
Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.
12
Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t'i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.
13
Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t'ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.
14
Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t'u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.
15
Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të kujdeseni të hiqni çdo maja nga shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në të shtatën, do të këputet nga Izraeli.
16
Ditën e parë do të keni një mbledhje të shenjtë, dhe një mbledhje të shenjtë edhe ditën e shtatë. Të mos bëhet asnjë punë ato ditë; të përgatitet vetëm ajo që do të hajë secili dhe asgjë tjetër.
17
Do të kremtoni, pra, festën e të ndormëve, sepse pikërisht në këtë ditë bëra të dalin radhët tuaja nga vendi i Egjiptit; do ta kremtoni, pra, këtë ditë nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.
18
Gjatë muajit të parë, nga dita e katërmbëdhjetë e muajit, në mbrëmje, deri ditën e njëzetenjëtë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme.
19
Për shtatë ditë të mos gjendet maja në shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë diçka të mbrujtur, do të këputet nga asambleja e Izraelit, qoftë ai i huaj apo i lindur në vend.
20
Nuk do të hani asgjë të mbrujtur; në të gjitha banesat tuaja do të hani bukë të ndorme"".
21
Moisiu, pra, thirri gjithë pleqtë e Izraelit dhe u tha atyre: "Shkoni dhe merrni qengja për ju dhe për familjet tuaja, dhe flijoni Pashkët.
22
Pastaj do të merrni një tufëz hisopi, do ta ngjyeni në gjakun që është në legen, dhe me gjakun që është në legen do të spërkatni arkitraun dhe të dy shtalkat e dyerve; dhe asnjë prej jush nuk do të dalë nga dera e shtëpisë së tij deri në mëngjes.
23
Sepse Zoti do të kalojë për të goditur Egjiptasit; po, kur do të shohë gjakun mbi arkitraun dhe mbi dy shtalkat, Zoti do të kalojë më tej derës dhe nuk do ta lejojë shkatërruesin të hyjë në shtëpitë tuaja për t'ju goditur.
24
Zbatojeni, pra, këtë si një porosi të përjetshme për ju dhe për bijtë tuaj.
25
Kur të hyni në vendin që do t'ju japë Zoti, siç e ka thënë, zbatoni këtë rit.
26
Kur bijtë tuaj do t'ju pyesin: "Ç'kuptim ka ky rit për ju?",
27
ju do t'u përgjigjeni: "Kjo është flija e Pashkës së Zotit, që kaloi tej shtëpive të bijve të Izraelit në Egjipt, kur goditi Egjiptasit dhe i fali shtëpitë tona"". Dhe populli u përkul dhe adhuroi.
28
Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan ashtu; ata bënë ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe Aaronin.
Settings