2 Kronikave 21:6-19
6
Ai ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.
7
Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërrojë shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me Davidin dhe sepse i kishte premtuar t'i jepte atij dhe bijve të tij një llambë përgjithmonë.
8
Gjatë ditëve të mbretërisë së tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi një mbret.
9
Atëherë Jehorami u nis me komandantët e tij dhe me të gjitha qerret e tij; u ngrit, pra, natën dhe i mundi Edomitët, që e kishin rrethuar atë dhe komandantët e qerreve të tij.
10
Kështu Edomi nuk iu nënshtrua pushtetit të Judës deri ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye kundër pushtetit të tij, sepse Jehorami kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij.
11
Edhe Jehorami ndërtoi vende të larta në malet e Judës, i shtyu banorët e Jeruzalemit në rrugën e kurvërimit dhe largoi Judën.
12
Atëherë i erdhi një shkrim nga profeti Elia, në të cilën thuhej: "Kështu i thotë Zoti, Perëndia i Davditi, atit tënd: "Meqë nuk ke ndjekur rrugët e Jozafatit, atit tënd, dhe rrugët e Asas, mbretit të Judës,
13
por ke ndjekur rrugët e mbretërve të Izraelit dhe ke shtyrë në rrugën e kurvërimit Judën dhe banorët e Jeruzalemit, ashtu si ka vepruar shtëpia e Ashabit, dhe ke vrarë vëllezërit e tu, vetë familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti,
14
ja, Zoti do të godasë me një fatkeqësi të madhe popullin tënd, fëmijët e tu, bashkëshortet e tua dhe gjithçka që ti zotëron;
15
ti vetë do të goditesh nga sëmundje shumë të rënda, nga një sëmundje e zorrëve që do të të nxjerrë çdo ditë pak e nga pak zorrët"".
16
Përveç kësaj Zoti zgjoi kundër Jehoramit frymën e Filistejve dhe të Arabëve, që banojnë pranë Etiopasve;
17
dhe këta dolën kundër Judës, e pushtuan dhe morën me vete tërë pasuritë që gjetën në pallatin mbretëror, duke përfshirë bijtë dhe gratë e tij; kështu nuk i mbeti asnjë bir përveç Jehoahazit, më i vogli prej bijve të tij.
18
Mbas tërë kësaj Zoti e goditi në zorrët me një sëmundje të pashërueshme.
19
Kështu, me kalimin e kohës, në fund të vitit të dytë, nga shkaku i sëmundjes, zorrët i dolën jashtë dhe vdiq duke hequr mundime të tmerrshme. Populli i tij nuk dogji parfume për nder të tij, ashtu si kishte bërë për etërit e tij.
Settings