Kalo te përmbajtja

Vargje biblike për Claudius Lysias

44 vargje · 2 aspekte

Vargje kyçe biblike

  1. Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: ''Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t'i thënë''.

  2. Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: ''Pali, i burgosuri, më thirri dhe m'u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë''.

  3. Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: ''Çfarë ke për të më thënë?''.

  4. Ai tha: ''Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.

  5. Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t'ua lejosh atyre''.

  6. Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.

  7. Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: ''Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare''.

  8. Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.

  9. Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:

  10. ''Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.

  11. Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.

  12. Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.

  13. Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.

  14. Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!''.

  15. Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.

  16. Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.

  17. Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.

  18. Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç'krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,

  19. i tha: ''Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu''. Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.